Entela Safeti Kasi

Poete, shkrimtare, përkthyese dhe eseiste shqiptare, u lind në Korçë në vitin 1975. Është diplomuar për gjuhë Angleze në vitin 1998.

I është akorduar titulli ‘Grua Universale’, nga Universiteti Ndërkombëtar i Paqes në Zvicër në vitin 2018, dhe njëkohësisht është ‘Akademike Nderi’ për Universitetin Ndërkombëtar të Paqes,  dhe Akademinë Universum, – Lugano, Zvicër.

Aktualisht është pedagoge e gjuhës angleze në Universitetin Katolik, Zoja e Këshillit të Mirë ( ZKM) I janë akorduar bursa studimi nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Britanik, në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2004, si edhe nga Akademia e Bad Wildbad dhe Këshilli i Evropës në Gjermani, në vitin 2008. Aktualisht është Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë. Anëtare  për Bordin In search committte të PEN International nga viti 2013.

Autore e librave: ‘Ëndërr e paemër’, ‘Koha e Kalit’, ‘Muzg Pikëllimi’, ‘Të korrat e Krishtlindjeve’, ‘Metafora që s’falen’, etj. I është akorduar çmimi letrar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni ne Shkup, 2008. Është  vlerësuar mes poetëve për Paqe në Izmir, Turqi, në vitin 2007. Është laureate e çmimit PENA e Flakës 2018. Medalja e artë Aleksandri i madh 2019 nga Unesco, Athinë, etj.

Poezia e saj është përkthyer dhe botuar në revista të ndryshme letrare në maqedonisht, turqisht, rumanisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, hungarisht, italisht, gjermanisht, hebraisht, spanjisht,  frëngjisht dhe anglisht.

Fryma – re e bardhë

Shkund pemë që bien në pragun tënd,
Gur i mullirit i shtron sofrën dhimbjes,
E sot më kthehesh flokëbardhë, me sytë si nata
Yll që më rrëfen udhën e gdhendur në gjurmë plagësh
Kur zgjatet n’pafundësi durimi
Oh grua e bukur,
Ëndërr e pamat, vezulluese
Si gurët e bardhë të lumit në zallin e vetmuar mbushur me ne
Fëmijët e rrëmbyer nga koha
Në procesion thikash që presin në të dy krahët pas shpine
Drejt e në asht,
në themel oshtin toka
Pemët e gjymtuara e drurët cung
Bibliotekat e djegura,
e hiri i librave
Luleborat e zbardhën kokën tënde prej gruaje
endur pezull endesh flutur
Më kthehesh sot në këtë varg
Fjala e pashkruar,
fjetur në gjumin tim prej vitesh
Dashuria dhe shpresa…
Vala e liqenit tënd në ag,
zbardh , zbardh, zbardh,
E nata tretet si argjend për të gdhendur fjalët
Në letra drurësh që gjelbërojnë sot
Fushën e rrafshët, tokën buzë bregu
Ku shëtit e më vjen nga lart,
Sall këtu ku jam,
Në pik të ëndrrës,
gjuhës sonë të vjetër
N’ amshim t’ pasosun
asaj bote të fshehtë
E bukura ime,
E vetme
E hyn në librin tim pa mua
E bëhesh unë,
E jemi
Fëmijët e dikurshëm të burimit,
Lumi që nis prej një pike të vetme

E fryma, – re e bardhë
derdhet….

Nëse bota është e egër, Anja…

Nëse bota është e vrazhdë, Anja
Lëkura e regjur nga kripë e ëndrrës është faqja
Ku do të shkruash historinë tënde, time, tonën
Do ta gdhendësh me ngjyrat e tokës, zjarrit, ujit
Tanë botën e lume krejt
Botën që derdhet e përhapet sall këtu ku jemi
E nëse oxhaku bie, Anja
Në vatër do xixiëllojë prushi,
Drita e yjet do hyjnë kah gurët e qosheve të shtëpisë së gjyshit
E do zgjaten si duart e tij që mbështillnin
Duhanin mbi hirin e fletëve
Hana ka me ta shfaq anën tjatër
Mbështjellë n’mëndafsh fjalësh të nanës
Deri sa të bëhet e plotë në kupë të qiellit
Do të ndërrojnë stinët, Anja
Do të piqen shegët, portokallet, ullinjtë si sytë e saj të bukur
Me lëng jete
Mollët do të pikojnë nga degët e nuk do të thyhen pemët
Mbi kokën tënde të bukur do të çahen gështenjat e pjekura
Do mbetet ngjyra mbi flokët e tu përhapur nga era gjithkund
Do shohësh tokën e pluguar ku hidhet gruri
Farën n’gjumë të ëmbël nën plis
Mbuluar nga bora
Do të vallëzosh në akull balerina ime
E unë do të jem flutur diku rreth zjarrit
…njerëzit do ti duash ashtu si janë
Të vegjël, të hidhët, të trishtuar, të sëmurë, e të krisur
Do ti shohësh të gjitha Anja,
Do pish mjaltë e verë,
Do hidhërohesh, do të qash, do të rrëzohesh,
Do të biesh për tokë prej dhimbjes
Pastaj do të ngrihesh, do të ngjitesh lart për të qenë
Bijë, vashë, nanë e grua
Për të mbetur motër e fëmijë e qashtër si drita
E dashura e ambël e dashurisë së jetës
Nëse bota është e egër Anja
Lëkura e regjur e saj është faqja
Ku do gdhendësh jetën

Muzg i kuqërremtë si bakri


Muzg i kuqërremtë si bakri
Shndrit një copë reje
Tret…
E nata,
Si sytë e kukullës prej kashte
Djeg…
Oh, flatra zogjsh rrahin erën
Jemi njerëz, e lumturia
Tepër e shkurtër
Tepër e ikur
Fijeve të barit
Rezon,
Guxon,
Gjelbëron pylli larg
Në mal të arratisë
E unë pyes shkëmbin
Nëse koha, a natyra e krijoi të tillë?!
Mbi tryezën e shkrimit
E mermertë, shkëlqimtare vazoja
E bimë të thara me kujdes
( sa jetë dikur pat, sa ujë, e sa pika vese?)
Një mbajtëse lapsash
E fletë libri të pashkruara
Mendime kokëposhtë
Dhe e thëna e gjyshit:
“Kur mbetemi vetëm, plakur, pa njerëz”
…Se bota ecën, e fëmijët marrin avionë
Rrëmbejnë trena e metro marrëzish,
Të zbulojnë atë që kërkuam tërë jetës
Universit
Yjtë
Si sytë e kukullës prej kashte
Flokët, si fije bari – brymë stine
Duart midis dy rrugëve
Lulet e kumbullës zbardhin, zbardhin, zbardhin…
E im atë karrocën e kohës nget
Në njërin breg motra
E në tjetrin vëllai,
Urë fjalësh
Nëna tej,
Fshehur mes luleborave
Kur triko fëmijësh thur
Oh, ky mëndafsh
Kjo ëndërr stisur me vargje,
Ky ishull
çati parajse që nanuris rrënjët,
Ndërsa nata bie
E gjithçka që prek
Lapsi,
Kutia prej druri
Me fotografi të vjetra
E letra,
Aromën e pishave,
Fletët e pashkruara të librit…
Kur në gjumë gjithë bota bie
E zgjohet,
Ky mall, ky prag,
Kur mësojmë se: bota është e egër
E ne krijojmë tonën…

Sikur

Sikur në flatra zogjsh të bardhë të endej fjala
Në sqep të pëllumbit kumti
Dhe drita në sytë e të vetmuarit
Ngarkuar në trastën me libra
Të vjetër kohës që s’kthehet
Në parvaz të qelqeve
me botën mbi shpinë
Do të ishim kështu një mirazh
I dijes
Kokrrizë rëre nën lëkurë të tingullit
Kur shkretimit njeriu i ndërton statuja
Dhe gra të mbështjella si kukulla
Mbetur në dhoma fëmijësh
I drejtojnë lutje qiellit
Ku lëvizin avionët…

Sikur në shtrat koralesh të prehej ëndrra
Në trup të perlës dhimbja e fikur
Në thellësi ujërash të errët
Detesh që botën ndajnë
N’kufij të së pamundurës
Dija
Do të zbriste në sytë e të trishtuarit
Si drita e flakës së kandelierës
Në udhëtim të pasosun’
Dhe gjuha nuk do të mjaftonte
Për të folur…

Leave a comment