Bulëzat

Klejda Plangarica

E lindur në Elbasan, më 15.8.1980, është poete, redaktore letrare dhe gazetare e pavarur. Është diplomuar me Master Shkencor në degën Gjuhë-Letërsi pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, në vitin 2002, si dhe me një Master të dytë Shkencor për “Përkatësi Gjinore dhe Zhvillim (Gender)”, në Universitetin e Tiranës, në vitin 2014. Gjatë viteve të shkollës së mesme ka filluar punë me kohë të pjesshme në televizionet e sapohapura lokale të Elbasanit, duke vijuar punën për 12 vjet me radhë si gazetare e kulturës, spikere e lajmeve dhe drejtuese e programeve të ndryshme televizive, në Egnatia TV, Dardan TV, Telenorba Shqiptare, A1 TV, RTSH, Radio +2, etj. , në qytetin e Elbasanit dhe të Tiranës.
Në vitin 2009 është punësuar në pozicionin e Zëdhënëses dhe Këshilltares për Mediat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe më pas, si Specialiste për Barazinë gjinore, në të njëjtin institucion. Në vitin 2012 ka publikuar vëllimin e saj të parë me poezi të titulluar “Dritëzim ikjesh”, ndërkohë që krijimet e saj, në poezi dhe prozë janë botuar në gazeta, revista dhe antologji të ndryshme. Ndër vite është përfshirë në organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, si skenariste dhe moderatore. Gjithashtu, mban pozicionin e Koordinatores për Median dhe Publikun në Festivalin Nderkombëtar Teatror “Skampa”. Edhe pas shkëputjes nga televizioni, ajo vijon pasionin e saj për letërsinë dhe gazetarinë, nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në gazeta e revista, ndërkohë që vijon punën si redaktore dhe korrektore e veprave letrare e shkencore. Është vlerësuar me titullin “Ambasadore për paqen”, nga Federata Universale Ndërkombëtare e Paqes, si dhe me titullin “Ikonë e fjalës artistike” nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare. Gjithashtu, është anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve.

Dëshira – dhimbje

Dëshpërimisht e lumtur sonte!
I huaj ky shtrat,
ku ngjizet dëshira-dhimbje,
e ku prushitet mbarim-fillimi i dashurisë.
I pari shtrat për ne.
Pafundësisht i fundit…
E vetmja fushë-betejë e paqes,
ku duhemi duke u vrarë,
ku vritemi për t’u dashur…

Dëshpërimisht, e lumtur sonte!
Fshehur në terr, më mungon
hëna e vështrimit tënd.
I pari shtrat për ne,
I përgjithmonshmi…
Ti po më çmend!

Pa koracë

Ajo që më ngacmon tek ti:
– Je ti,
Pa koracën tënde.
Tunikën e fshehtë që të mbështjell
kur unë fundosem në limitin e ikjeve.

– Je ti,
Pa tufanin e çmendur të zërave,
Piskamën e tyre të frikshme
kur më përplaset kaçurrelave.

– Je ti,
Me hënën në krah në papafingon time,
Ku natës kyç gojët e zërave
dhe zhvesh paqësisht tunikën.

Ajo që më ngacmon tek ti:
– Je ti,
Në një shtrat bosh…

S’kuptoj

I pashmangshëm është kthimi im te ty…
Je kaq i largët sa s’e kuptoj si të arrij!
Çdo mëngjes
i gjurmoj mjegullat ku fshihen
Dhe s’e kuptoj si s’humb…

I përmbrëmshëm është kthimi im te ty…
Strukem errësirës sa s’e kuptoj ç’ngjyrë kam!
Çdo mbrëmje
i trembem hënës mos m’i çjerrë grilat
Dhe s’e kuptoj pse s’i mbyll sytë…

I trishtueshëm është kthimi im te ty.
Tretem thellësive sa s’e kuptoj si s’bëhem ujë!
Çdo herë,
liqeni më trillon se je vetëm
Por unë prapë të gjej dy…

Eshtrat

Pas pak do jem me ty
Dhe sërishmi
si pranga do ia vë mallit eshtrat.

Pas pak,
Malli do shfryjë njëqindfish përmes eshtërzimit
E shpirti do dridhet njëqindfish.

Pas pak,
Një sy i hënëzuar do skicohet në sy,
E vështrimi s’do gjejë dot vend
ku të mbështetet pa frikë.

Për pak,
malli do ta thërrmojë ngurosjen
dhe do të hidhet lehtësisht jashtë buzëve.

Për pak…
Por paskan qëlluar të rrepta eshtrat..

%d bloggers like this: