Mevlyde (Mezini) Saraçi

Mevlyde Mezini Saraçi, u lind më 15.12.1954, në Mitrovicë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës. Studimet master, Menaxhimi i Emergjencave i kreu ne Kolegjin Universitar “Biznesi” në Prishtinë dhe ka marrë titullin “Master i Arteve në Menaxhimin e Emergjencave”.
Para se të burgosej ka punuar si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin.
Në aktivitet politik dhe humanitar është inkuadruar që në vitin 1989.
Në vitin 1990 ka organizuar dhe ka marrë pjesë në shumë protesta dhe demonstrata në Gjakovë e Prishtinë
Ka qenë kryetare e Komisionit të Solidaritet në Gjakovë, prej vitit 1994 deri 1998, ndërsa në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe si logjistikë për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit prej 1 qershor 1998 deri më 4 dhjetor 1998.
Është gruaja që i ka dërguar arkivolet në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit.
Ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë, 2001-2003 dhe 2006-2007 si dhe deputete e Parlamentit të Kosovës, 1998-2000 dhe 2001-2003!
Është Ambasadore e Paqes Universale në Botë dhe Qytetare Nderi e Lushnjës
Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë është shpallur “Gruaja shqiptare e vitit 2012”
Është anëtare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, Anëtare e “ Karvanit të shkrimtarëve”, anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”
Është themeluese dhe kryetare e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”
Është Veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Është Kryetare e Këshillit Rajonal për Paqe Universale në Gjakovë
Me shkrime është marrë që në bankat e shkollës fillore.
Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare ka qenë fituese e çmimit të dytë për esenë me titull “Në udhëkryq”, në konkursin letrar të komunës së Mitrovicës, shkrim i cili është botuar në gazetën e atëhershme “Trepça”.
Është edhe fituese e shumë çmimeve letrare si dhe ka marrë dhjetëra mirënjohje për krijimtarinë e saj letrare si dhe angazhimin dhe aktivitetin e saj kombëtar
Është redaktore dhe recensuese e dhjetëra librave të autorëve të ndryshëm.
Kohë pas kohe ka botuar shkrime publicistike nëpër gazeta dhe revista në Kosovë e Shqipëri.
Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike brenda trojeve etnike.
Është autore e njëzetë e tetë librave me poezi, roman, dramë, fjalë të urta, monografi etj!
Është e martuar. Ka pesë fëmijë, të cilët janë të rritur dhe të arsimuar.
Është gjyshe e dymbëdhjetë mbesave dhe nipërve.
Mevlyde Mezini Saraçi, jeton me bashkëshortin e saj Agimin në Gjakovë. Është autore e 28 librave të botuara ndër vite.

Jam grua

Nuk jam diell që mund të lëshoj rreze
As hënë për ta ndriçuar errësirën
Jam grua që me ndjenja fisnikëroj jetën
Nënë që u dhuroj fëmijëve dashuri pa kushte
Jam njeri që dashuroj jetën e njerëzimin
Qenie e brishtë që ecë rrugëve të thepisura
Nuk vritem nga plumbi sa më vret fjala e rëndë
Gënjeshtrave ua zë frymën në të parën fjalë

Toka nuk fle

E shikoj botën mendimesh zgjuar
Tatëpjetën e njerëzimit në rrokullisje
Si harqe urash shtrihen imazhet e dritës
E nesërmja lëvizë fatin e së ardhmes
Dyert mos i ngujoni me fjalë të kota
Qiellin e kthjelltë mos e pështyni
Dashuroni yjet dritën e hënës
Mos e puthni skëterrën errësirë
Toka nuk fle rrotullohet mendjes

Buzëqeshje e përvajshme

U linda me agun e mëngjesit
Një dorë butësisht më përkëdheli
Përvajshëm i buzëqesha jetës
Në fluturim me ëndrrat e bardha
Rritën time ma shkurtuan zezonat
Natës ia verbuan dritën e hënës
Edhe rrugët e jetës mi përbaltën
Nga hiri u ngrita me shkëlqim
Shekujve hijet më ndoqën pas
Vetëm shpresat udhëtonin të lira
Duke shpalosur pritjet e mija
Përplasur shkëmbinjve t’ atdheut
Unë nënë e dashuruar në diellin
Strukur në qelitë e burgjeve t’ errëta
Në gjoks e shtrëngoja pranverën
I flisja mendimeve të ndryshkura
Me kurajën e dritës së shpirtit
Bashkë do të dalim nga skëterra
Kur liria do ti buzëqeshë jetës

Sonte terri ma kafshoi shpresën

Sonte terri ma kafshoi shpresën
Ujqërit ulërijnë në vargjet e mia
Strofa e parë pëlhurë merimange
Lapsi nga dora më iku
Hëna mu bë shoqe
Që shtigjeve të kërkoj dritën
Në natën më të gjatë të jetës
Sonte as ti nuk ishe me mua
Të gjithë më lanë vetëm
T’i numërojë vitet plagë
Hyra në shekullin e dytë të jetës
Me hartën e grisur copë- copë…
Eshtrat stoli lirie
Hapërojnë mbi qelizat e mykura
Nata përbindësh i ëndrrave të bardha
Më prit bir t’i numëroj kockat
Në valixhen e kujtimeve
Me AND-në e krimit
Nata u mplak
Mëngjesi e përpiu të tërën
Para syve të mi dëshmitarë të vetëm
Askush më nuk beson
Në ëndrrat e bardha
Të natës së zezë
Gjithçka mbeti gri…
Hesht
Ata po ikin
Edhe ëndrrat tona i vodhën
Hesht
Ta mbroj këtë ëndërr të bardhë
Të natës së zezë nga barbarët…
Hesht
Sa t’i numëroj plumbat
Mbi hartën e përgjakur
Për të mbajtur të freskët
Kujtesën historike

Muza

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: