Enkeleda Ristani

U lind më 13 gusht 1974 në qytetin e Fierit, ku ndoqi arsimin tetëvjeçar dhe të mesëm. Përfundoi studimet e larta në degën e administrim-bisnesit. Është nëna e tre vajzave, siç nëna e tre librave me poezi: “Perënditë vishen me mjegull”, “nesër është e vona ime”, “E di, Gyter?”.

**********

duket se jam konsumuar
dhëmbët e ingranazheve që më përbëjnë janë ngrënë
nga herët në mëngjes e deri në darkë
nga vonë në mëngjes e deri vonë në darkë
asnjë fjalë e shënuar me të kuqe
e pamundur të bësh rezymenë e një dite
tani e kuptoj pse hoqa dorë që herët nga ditari
“i dashur ditar, sot ishte një ditë çfarëdo
e enjte sepse kishte radhën për të qenë
sa hapa sytë piva kafen e zgjimit
e piva aq ngadalë sa të mbërrija t’i fusja në mjegull
gjithë organet e brendshme
kështu që edhe sot lëvizën në tym për inercinë e vetëflijimit
(punë heroike)
pastaj piva prapë kafe deri në kapërcyell të ditës
kur stomaku doli nga koma dhe më kërkoi të hajë
ndërkohë shkëmbej lajme të shkruara me lajme të dhëna
vras mendjen se ç’është ajo gjëja që duhet të bëj sepse jam vonë
por sigurisht që s’e gjej
qenka bërë mbasmuzg
parambrëmje dhe mbrëmje së bashku
ofertë që duket sikur është dhënë falas
në fakt të shkuarat i kam paguar me çmime shumë të larta më vonë
pa e kuptuar
i dashur ditar, sot mora tre telefonata
një nga ai
që më tha ta prisja si gjithmonë
dhe dy tepër të zakonta
‘mam, çfarë po bën
si je
edhe ne mirë jemi
puç mam’
qenka bërë natë, i dashur ditar
mund të të flisja për dobishmërinë e të bërit gjëra
edhe për nevojën e të qenit e dobishme
por duhet të fle, të më falësh
jam shumë e lodhur edhe sot
duke bërë asgjë “

një copëz për gruan që jam

S’e kam lehtësinë e një takëm grash
Vishem lirë
Ha pak
Fle keq
Pi ndonjëherë sa dehem
Dehem ndonjëherë pa pirë
Ngjëroj mirë pije të shtrenjta
e njësoj gëlltis edhe lëtyra
Flas pa kocka nëpër gojë
por kjo s’i hyn në punë as dreqit
Jashtë bën botë e egër dhe unë
asnjë dhëmb në gojë që ta kafshoj
Paratë më mbajnë peng fuqinë
Nuk bëj dot udhëtime të gjata
as nuk ëndërroj
qameti, udhëtoj nga koka ime deri në brigje të panjohura
të rrapullive të mia modeste
Nuk mendoj se gjerat mund të rregullohen
as nuk shpresoj
dhe kjo më heq ca etiketa buzëqeshjesh shtiranake
nëpër tavolina të lodhura
me ngjyra në nevojë
Nejse, një grua që shkruan vargje
është vetëm kaq: një grua që shkruan vargje
Rrugën për në ferr e ka të shtruar pa asnjë mundim
që nga toka
nëse ferri është mbartur diku tjetër ndonjëherë
Krenaria ime thyen kokën nëpër taka të larta
të thyeshme edhe ato nga të tjerë
Kur dashuroj aq pak herë sa mundem
dashuroj të pamundurat
sepse është thënë, duket
në librin e mallkuar të lindjes sime
faqja 49
“Do dashurosh me pasion vuajtjen”
Nuk di kush e tha
por di që vazhdon edhe më cinike
“Do shkruash pa shkruar dot deri në fund”
dhe pastaj, si fletët e kujtesës mbi kanatën e frigoriferit
ngjiten në rrudhën time më të thellë të ballit
E tani ndoca herë
thyej pasqyra nëpër cepa banjash
që të mund të arratis herëdokur sytë
nga e vërteta
që s’ma pranuan asnjëherë të zbuluar…

**********

nuk do të kthehet tek demonët e bardhë
ata ia zhysin kokën në ujë brisk
dhe aty jetojnë ëndrrat e frikshme
që zhurmojnë kapakët
ku duhej të ishin sytë
poshtë janë barakat e të ikurve
kurse të ikurit
kur nuk bie shi këndojnë ditë të pakuptueshme
pastaj qeshin me flokët njëgisht
i shkulin nga rruga e skalpit
dhe i numërojnë fije për fije
një grusht qershi zbulojnë mbas dere
dhe vrasin njëri tjetrin
për bërthamat
tuli është një mut mallkimi
i panevojshëm
ajo s`ka fuqi të veshi këmishë
po qan
të qash është mirë
keq është kur e qara të ikën me të ikurit
“pse më ke vjedhur zërin e saj” më thotë
“kam pjesën time” i them
“ty s’të takon asgjë
nga braktisja e saj” më thotë
” unë jam bashkpronare e varrit” i them
” vafsh në djall” më thotë “bijë kurve”
“ajo na e la ne gjithë varrin”
unë nuk jam një nga të ikurit ende
ndaj s’mund të bëj as grimasat e të qeshurës
po qan ajo
dhe diçka mundohet të thotë
në gjuhë të panjohur
të shqipes
“duhet të shpëtosh” i them
“duhet të shpëtosh ti” më thotë
“nga të vdekurit”
unë hesht akoma
se njoh metaforat e një poezie të pashkruar
kurse ajo mbështjell kokën
me rënkimin e gjetheve
dhe qan duke më urryer më shumë se demonët e bardhë
asaj do t’i thotë se unë dua ta vras
gjithmonë kam dashur
që nga hera e parë
kur i mungova
varri në majë të kodrinës
bie erë aprovimi dhe rënkimesh

**********

është një grua e vogël, Gyter
gjysmëgrua e gjysmënëna ime
jam dhe unë që jam gjysmëgrua e gjysmë nëna e saj
gjysma tjetër e nënës ka vdekur tek të dyja
ishte ajo gjysmëgruaja që na braktisi për vdekjen
gjysmën e gruas që s’e mori me vete e shpërndau tek ne
nga përgjysëm
është edhe një pemë gjysmë e tharë, Gyter
gjysmë grua dhe gjysmë pemë e tharë
sa i plasën gjethet
ne të treja veç e veç jemi shenja thonjsh në barkun e zotit
që ikën nga ne si të ishim demonë
të treja bashkë jemi gërvishtje mbi një gur varri
secila e thellë
secila provë durimi
çati e kasolles ku zotat bëjnë eksperimente
me fatin, Gyter
gruaja që na tradhëtoi me vdekjen
na la trashëgimi mallkimin e saj
mbase pa e ditur
ose mbase duke e ditur
na e përcolli në gjak dhe shkoi
me çapa të zbathura
kah shkurrishtja e përshkrumbur
kah rënkimet e gurëve çdo tre gjurmë
Shtëpia e rrënuar vërtitet në çdo tre ëndërra
sa i merren këmbët e mureve
dhe rrokullis gurët të poshtë në Vjosë
ke parë ndonjëherë oborr me shtëpi të humbur, Gyter?
gruaja e vogël
gjysmëgruaja dhe gjysmënëna ime
ka damarë gjaku mbi lëkurë
shkruan legjendën e saj me pasthirrma vuajtjesh
e me “ah, sikur…”
dhe rritet pa e ditur
si do të ishte një burrë që ta donte
gjysmëpema e tharë vajton me klithma gjethet e dikurshme
pa e ditur si do të ishte pa shkarpa
udha e rrënjëve
kurse unë
gjysmënëna e tyre e vdekur
gjysmëmotra e tyre e gjallë
marr frymë pa e ditur si do të ishte
një nënë e gjitha e gjallë
që prej fillimit
pa fuqinë për të na braktisur për një vdekje…

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: