Sevëme Fetiqi
Sevëme Fetiqi u lind më 7 maj 1961 në Vushtrri. Studioi mjekësinë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Që nga bankat shkollore tregoi interesim dhe prirje për poezi. Poezitë e saj u botuan në shumë gazeta dhe revista. Në vitin 1983, poezitë e saj u botuan në antologjinë „Rrjedh e lë gjurmë” të cilën e botoi gazeta e studentëve “Bota e Re”. Më vonë, më 1985 iu botua përmbledhja e parë “Kurorë e kaltër” botim i Rilindjes, e cila përmbledhje u shpërblye me çmimin ”Hivzi Sylejmani” si libri më i suksesshëm i Plejadës, nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Redaktor i këtij libri ishte shkrimtari Ali Podrimja. Më vonë si shumë të përndjekur, në vitin 1992 Sevëmja emigroi në Gjermani.
Në vitin 1998, autorja boton librin e dytë “Dëshmia e kthimit tim”, (Rilindja), redaktor Rrahman Dedaj. Në vitin 2003, poezitë e saj përfshihen në “Antologjinë e poezisë moderne shqiptare” të Ferdinand Lahollit, ku janë të përkthyera në gjuhën gjermane.
Poezitë e saj janë të përkthyera edhe në gjuhën rumune në antologjitë e Baki Ymerit “Trup dhe shpirt (Trup si suflet)” 2012 dhe „Destinë letrare“ (Destine literare) 2015, si dhe në shumë antologji tjera letrare. Librin e tretë të saj, me poezi “Imazhe të ringjallura” ia boton në mars të vitit 2012 SHB “Beqir Musliu” në Gjilan.
Në vitin 2014 Sevëmja boton edhe librin e katërt të saj me poezi „Një gllënjkë dashuri“ SHB „Beqir Musliu“ Gjilan.
Është shpërblyer me shumë çmime letrare në Kosovë e Gjermani. Në vitin 2012 u nominua nga LPNSHA “Pegasi” Tiranë dhe Prishtinë, ,,Poetja e vitit 2012”. Në qershor të vitit 2013 në Takimet Poetike Tradicionale “Azem Shkreli” në Ennepetal të Gjermanisë, me vendin e dytë u shpërblye libri i saj “Imazhe të ringjallura” .
Në vitin 1979 ishte njëra ndër themeluesit e TAKIMEVE TË POETESHAVE SHQIPTARE në Vushtrri, në vendlindjen e saj, si dhe veterane e këtyre takimeve ku edhe u shpërblye disa herë me çmime. Në vitin 2013, nga Komuna e Vushtrrisë e nderon me Mirënjohje, që ndahet për nder të Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës, për aktivitetet e saj letrare dhe për kontributin shumëvjeçar në vendlindjen e saj. Poashtu ne vitin 2018, në vendlindjen e saj, merr çmimin për vepër jetësore nga klubi letrar „LATIF BERISHA“ Vushtrri.
Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më se 40 vite, anëtare e komisionit punues për përurimin e librave, pranë shoqatës „ILIRIA“në Heidelberg, anëtare e Lidhjes ndërkombëtare të poetëve “PEGASI” Albania për Gjermani, anëtare e Lidhjes së shqiptarëve në Botë, dega në Gjermani si dhe anëtare e Unionit gjithëkombëtarë shqiptar, me seli në Belgjikë.
Muret
Muret e lartë e të ftohtë
Mure nga gjembat
Ata që fshehin diellin
Ku kacavjerret frymëmarrja
E të burgosurve
Për ta thithur ajrin
E ditës së re përtej
Mure ku i shkruam idealet
Dhe vuajtjet tona
Si mesazhe qëndrese
Mure që panë e dëgjuan
Ato të urta dhe heshtake
Në ta të varura
Pushkë e kobure
Në ta të pikturuara
Murale jete të përzemërta
Muret plot pëshpërima
e ofshama dashurie
Aty të varura
Mirënjohjet në kornizë
Për ta qetësuar Unin tonë
Muret me pasqyra
Ku thehen
njëmijë fytyra
Muret ku luhen
skenare shumëngjyrëshe
Mbi pëlhura të bardha
Kinemaje
Mure ku mbështetemi
Pas tronditjeve
Mure të rrënuar
Të bëra gërmadha harrimi
Mbi tokë
Nën tokë
Mure të ndërtuar injorimi
Të fshihemi më së miri
Nga njëri- tjetri
Muret ah muret….
Po vdes në mesnatë
I ëndrroj engjujt
dhe mëkatin tënd si shuhet
në mesnatën time
Ajo më bart qetë
tek ti dhe Perëndia
Ende nuk jam bijë
e natës së errësuar
mendoj për shi e det
derisa e puth duke qarë
agun e purpurt që flen
në gjoksin tënd
Mos e fsheh fytyrën
zgjohu si Toka pas shiut
unë po vdes për ty
duke i shpërlarë
mëkatet e tua
Mos më le
Bëhu i bukur dhe i mëndafshtë
Si një trëndafil i qelur në kopsht
Mos u bë i vrazhdë si gjembat e tij
Ose thuaje një fjalë të ëmbël
ose më vrajë e më humb
Vetëm si zog të plagosur
Pa krahë
Mos më le
Kësaj vjeshte të artë
Viktima
Nga çdo nëngur
Për dreq
Dalin njëmijë gjarpërinj
Ti nuk e din
Sa hiqë gjarpëri nën gur
Vetëm gurët e helmi
Janë dëshmitar
Aty afër
në mes dy gurëve
lulëzon një luleborë
bora e bardhë dhe pafajësia
janë dëshmitare
a do të mbijetojë ajo
apo gjarpëri i “vuajtur”
do ta helmojë?
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt