Liridona Shehu

Liridona Shehu (17.01.1992, Lukinaj, Has). Studimet themelore dhe studimet master në Universitetin e Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’, Fakulteti i Filologjisë, Dega e Gjuhës Shqipe.
Ka shkruar poezi që nga fillorja dhe ka botuar në revistat e filloristëve. Libri i saj i parë ’’Alfabet zemre’’ është botuar në vitin 2011. Merret me krijimtari poetike vazhdimisht, duke marrë pjesë në orë letrare, manifestime poetike, performanca artistike etj, dhe në të njëjtën kohë duke iu kushtuar gjuhësisë për nevoja profesionale dhe artistike. Poezitë e saj janë shpërblyer dhe botuar në gazetat dhe revistat letrare e artistike në vend dhe më gjerë.
Në vitet 2016-2017 ka punuar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në pozitën e bashkëpunëtores së QLE-së. Nga viti 2018 punon në NSH Ambienti në pozitën e lektores dhe në BSP LLC, në pozitën menaxhere e administratës dhe komunikimit me klientë. Njëkohësisht është edhe bashkëpunëtore në redaksinë e Gazetës Letrare.
Është aktiviste që përkrah dhe promovon kauzat për të drejtat dhe liritë e vajzave dhe grave, ndërmerr dhe mbështet aksione për mbledhjen e librave dhe hapjen e bibliotekave nëpër shkollat e vendeve rurale, merret me aktivitete vullnetare me fëmijë dhe me grupe të izoluara (paintegruara), etj.

Grua

Ti ec
S’ka me mund me ta pre udhën
As i forti e as i ligu.
Ti ec
Me kokën lart e hapat n’tokë
Kanë me i thy hun’t tuj t’pa
Mos u kthe anash
Ndiq ardhmërinë.
Ti ec
Siç ece kur një botë mbajte mbi supe
Ec, ec, ec
Ec siç ece kur more plot plagë
Ec edhe nesër
Acari s’e akullnosë pjellën e vet.
Vrapo, kap yjet me dorë
Puthi me afsh, pastaj leri të lirë
Yllneshë moj.
Ti ec, me grimca triumfi në duar
Kurora je, bjeshka je, oj grua.
Ec, kap kohën, kah fatin
Ruaji në gji, tuat janë.
Ti ec, merr pak dashni me vete,
pak buzëqeshje, pak lot
Jo veç sa për t’u mbajtur n’mend.
Merr dhe ca shpirta me vete
Ca mendje t’ndrituna merr
Pastaj ec,
Ec paqësisht, betejëfituese.
Ec, ec, veç ec
Rruga jote âsht e pafund
Gjithçka që fillon, mbaron për të filluar.
Ti ec
Kështu të njoha, s’të shoh dot ndryshe.
Mos u ndal!
Ec!
O bjeshkë që s’tundesh prej stuhive.

Sa herë e hëngrëm lirinë me lot

E matnin shtatin me pëllëmbë dore
E nuk kishim durim deri në shtatorin e shkollës
Pastaj, u dëgjua një krismë ushtuese
Luftë, luftë është, na thanë.

Përngutshëm ikëm,
lamë peng ca copëza të shpirtit
Nisëm një jetë të re në vend të ri, të huaj.

Pastaj u kthyem,
Luftës i thamë pasluftë
Gjetëm toka e zemra t’shkrumbuara,
E po në ato toka u rritën.
Zanës nuk iu dogjën ëndrrat
Siç iu dogjën zemrat nënave
Se rrugë e zanës është hana
E rrugë e hanës është liria.

Se, liria nuk hahet me bukë e sheqer
E mësuam kur u rritëm
Sa herë e hëngrëm lirinë me lot
E sa herë na mbeti në fyt.
Sot, zanë e hanë bashkë janë
E lirinë përpijnë me lot të epokës së “lirisë”
Rrugët trellë na janë bërë
Në kërkim të pavarësisë së mendjes dhe dashurisë.
Dëgjomë zanë,
Rruga e zemrës është veç liria
E Liria është emri që në qenien tënde e mban.

Esëll n’udhë t’dashnisë

N’aftim m’ke ardhë prajshëm e dashurueshëm
Me i shpërdredhë fijet e hutuara t’flokut

E kjoma e buz’ve kur m’ka zanë esëll
S’di qysh jam duru
Pa t’thanë merrmë sa s’na zu edhe një natë
Se nata besë ka e s’ka

E bash qashtu u dashtë me ia ba
Se edhe n’dritë kur t’kishim dalë
Mâ nuk ishim pa
Veç ishim ndie, e ishim bâ njâ.

T’kam dashtë edhe pa t’pasë
E kur t’kam pasë
Kam yejtë netëve me ngu a frymon.

T’kam dashtë edhe pa t’pasë
E kur t’kam, ma s’di çka âsht’ me t’dashtë
Di veç me t’kallzu se s’bahet pa ty
E veç me t’kallzu di, që jetë je TI!

Kënga e fundit

(Poetit A. Podrimja)
Përkundej vera nën hijen e lisave
Hapat përkundeshin mbi strehën e sipërme të dheut
Bilbilit i shteroi zëri në këngën e fundit
Fluturoi në çerdhen e lumit të vogël
U ftoh trupi
Shpirti për t’u ngrohur
Kilometrat numëronin frymëmarrjet e amanetit
Ajri po shënonte sekondat e fundit mbetur
Gjethet akoma pa u shtrirë për tokë
Ra një trung njeriu.
Buzë lumit etja qe shuar
Se lumi gjithmonë ecte pa tradhti
Pa mashtrime, i pandryshuar.
Lotët derdheshin tutje në horizont
Dridheshin lapsat në ndonjë varg poezie
Atij që shpirti iu rrjep e zemra iu gris
Rrënjët iu shtrinë tek një degë fëmije.
Vdiq shpirti i poezisë
Përgjysmë u thye dhimbja e malli
Sikur…shpëtoi ai që iku
U gjallërua Lum djali.

Yllëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: