Suada (Ada) Halilaj

Suada (Ada) Halilaj i është përgjigjur jetës me 21.02.1991 në kryeqytetin e kulturës, Shkodër. Pas përfundimit të gjimnazit, vazhdon studimet jashtë Shqipërisë , në Firenze për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Libri i saj i parë me poezi ‘’Animalesque’’ publikohet në vitin 2015 nga shtëpia botuese Odeon. Sot, Ada jeton mes poezisë, maceve, udhëtimeve, dashurisë për lirinë dhe për librin duke lobuar fort me forcën e fjalës dhe mendimit për feminizmin dhe të drejtat gjinore.

Gjashtëdhjetë e dy metra katror

Shtëpia jeme ka përmasat e mia
Ka katër sy macesh
E tre dritare që presin gurin e dritës
E vakte nën llampë
E vetmi moshatare
E libra
E venë
E një vend kitarre që harroj me ble
E mishi në zjarr që nuk vlon kurrë,
E mishi jem që
edhe mbi akull zien,
Zien e zbutet
Me pirunj të bardhë
I çahen kafshatat e urisë
Shtëpia jeme asht kujtesa jeme.
Ne muret e saj
Zvarriten damarët e trupit të ftohtë
E çelin lule plot nerv
Lule të marra
Lule të egra
Lule që mi përkundin sytë e sëmurë.
Fytyrat e fytyrave te mia
Të palumtuna
Këputen
I afrohen lutjes
Zmadhojnë gojën
E vdesin
E natën më dalin në andërr
Pa më xanë gjumi
Natën më humb edhe shpirti,
Këpucët
Flokët
Kambët
Malli
Qyteti e djepi
Jam diçka
Pa diçka
Një shpellë brenda dritës
E deformume
Në mënyrë të përsosun
Pika të lashta me bashkojnë me botën.
Kocka të pavdekshëm më vallëzojnë në trup
Me gishtat e mi vetëvritet dora jeme,
E askush nuk qan siç duhet.
Heshtjet e mia besimtare
Lypin një Zot të ri
Ditë e natë e diçka ndërmjet
E asnjë Zot nuk i don
Nuk i fal
Prandaj rikthehen,
Aty ku dëbohen,
në pulsin e sendeve
Aty ku unë tronditem
Sikur të isha një lajm i papritun ç’njerëzor.
Gjashtëdhjetë e dy metër katror
Shtëpia jeme e marrë hua
Për pak lekë në muaj
Nga një grua tjetër
Mizorisht tjetër.

**********

Jam shpia e grave të egra
jam britma e tyne hakmarrëse
asgja të mëndafshtë s’kam
përveç përtypjes.
Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit
Për orën në zemër,
jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë
vritem nga ata që s’më vrasin
vras ata që s’vriten
deri n’gju më mbërrin qielli
zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët,
uri që më josh,
uri që më banon.
sytë më rrinë në vend
por jo shikimi
teshat më veshin prapë
prapë
si një kukull të mitun
m’mësojnë me kja.
Por inç për inç
dhimbje për dhimbje
lëndinë për lëndinë
trupi jem hup copa të vjetra
kile të shterrshme andrrash.
ky trup që s’ma xen ma shpirtin
as kjo dhomë
as ky qytet
që natën e tij nuk përzin me temen.
Jam goja e grave të egra
jam korja e bukës në ujë
nuk mbytem
nuk zbutem
nuk hahem
shpërbahem.
Më duhet me e zgjanu mishin
me i tjerr eshtnat
me e zbraz gjakun në një enë të bardhë
me u liru dursh
kambsh
me u lanë me m’tretë
mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli
për të palëvizshmen e gjallë.
Jam shpia e grave të marra
jam dielli i prishun në pjatë
jam cehre e frikshme
jam mur
pa micën mbi bark
pa këmishën e forcës
pa vetminë që zien mbi zjerm,
pa flokët e mi të përjetshëm
jam mur
jam shpi.

Prej barkut tem ka lind trupi jem

Jam unë nana jeme e fundit
Jam unë fëmija jem i parë,
etern.
Jam nxjerrë prej ujit të mbledhun në rreth me duart e mia
e dilatume sa diametri i vetmisë
në maternitetin e grave pa burra,pa zot e pa gjymtyrë
një lindje pa bisturi
pa lotin e kuq të barkut
pa vijën e qumështit si plagë
me një dhimbje laike në mish
kam shty
kam bërtit në tre akte
kam gjujt diellin me gurë e grushta
jam rrapatos si shpirti në fije të frymës
prej ballit m’janë zgjatë damarë të përvëlum
prej trupit asht çu peshë tanë mishi
prej mishit kanë dalë jashtë tanë eshtnit
jam shpernda nëpër kutinë e jetës
pa u thy
në njëmijë grimca të buta.
Veç unë në një dhomë-pasqyrë
veç katër mure që frikën ma kishin
katër vdekje kam kthy mbrapsht
katër javë kam bind stuhitë me u ndal
pa i ngul dhambët në asnjë kafshatë bukë
pa u tremb prej dritës në ferr
pa ushqy kafshët e komshisë
pa ia mbajt kryet natës në jastek
Vetëm.
Asnjë doktor,asnjë infiermiere,asnjë korridor
asnjë pilulë për dhimbjen teme të pamposhtun
Veç britma
herë si kalë pambuku
herë si shtrigë amnore
te kambët e shtratit
ma përgjonte orën e gjumit
me saktësi hyjnore.
Prej tkurrjes erdha në jetë
lëkura e vjetër ra një copet
ftyra e tronditun ndeshi ftyrën e re
flokët e lagun iu shkëputen rranjës provizore
qava për herë të parë
me sytë e ri
një lindje natyrale
e parekomandushme
një foshnje e madhe
sa një grua
tekstualisht grua

E kam tremb ftyrën teme me sytë e mi

Goja jeme ka shërby
vakte me mish të freskët
për gojëzat e vetmive refugjate
Prehnin e kam shpërngul në një trup ma t’ngrohtë,mikpritës
Moshën e kam gjet në dhomën e sendeve të vjetra
në gjendje të përsosun.
Kam hap dyert e shtëpisë
Për ata që s’dinë me ardhë
Për gruan që banon në pasqyrë
E dy maçokët e saj.
Kam festu ditëlindjen e sëmundjes shëruese
Çmendisë së madhe
Me këpucë kauçuku
Me buzkuq të prishun
Me fëmijët në njenën dorë
E kordonin umbilikal në tjetrën.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: