Majlinda Nana Rama

Majlinda Nana Rama është shkrimtare dhe studiuese shqiptare. Ajo konsiderohet si përfaqësuesja më e shquar e brezit të saj letrar dhe një nga emrat e nderuar të letërsisë së sotme shqiptare. Ka shkruar poezi, ese, artikuj shkencorë, studime, kritikë letrare, romane, novela etj. Ka lindur në Tepelenë. Në vendlindje ka marrë mësimet e para e ato të mesme. Gjatë viteve 1998–2002, ka kryer studimet e larta për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Në vitin 2012, ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në vitin 2014 merr titullin Master i Shkencave në Shkencat Politike dhe Juridike. Është themeluese dhe drejtuese e Panairit Kombëtar të Librit “Fieri” dhe anwtare e W.P.S.(Lidhja e Poetëve Bashkëkohorë të Globit). Është redaktore dhe recensente e librave të autorëve të ndryshëm në poezi, prozë dhe studime.
Si shkrimtare, Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët”, i cili bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes fabulare të shumë elementëve. Ky roman, që i hapi rrugën në letërsi, në pak kohë do të bëhej edhe film në Zvicër. Në vitin 2019, Majlinda Rama u përfshi në kolanën studimore të akademikut Ali Aliu mbi veprën e autorëve më të mirë bashkëkohorë, në krahë të shkrimtarëve të njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Zija Çela dhe Kim Mehmeti. Shtypi i huaj e ka krahasuar me Dostojevskin, A. Çehov e Aleksandër Gribojedov. Ka botuar librat nw vijim: Merrma lotin peng – (Poezi) – 2004; Hene e qiellit tim – (Poezi) – 2006; Por gjyqi vazhdon … – (Eseistike) – 2006; Perandorët – roman – 2014; Kritika Letrare – studime, kritika, ese, publicistikë, Shkup, 2014; Zonja me të kuqe – roman, 2015; Metalogjika policentrike e një shteti të ri – studim, 2016; Koncept i përkufizuar i një modeli ekonomik – studim, 2016; Ikja – novelë, 2016; Antologji e prozës poetike – 2017; Kthimi – novelë, 2017; Lulet e egra – poezi, Shkup, 2017; Kodi poetik i Agollit – studim monografik, 2018, red.shkencor Ali Aliu; Kumte që lëvizin (Mbi poezinë e Ali Podrimes) – studim monografik, 2018, red.shkencor Ali Aliu; Arzoe – Novelë, 2019; Shënime Letrare- Studime, kritikë letrare, 2019.

Një burri

eja,
se në mua po vjen aromë malli që të pret
e sillmi puthjet e tua, edhe fluturat e zjarrit,
edhe shikimet e buta
eja e mos shko sërish
siç vjen e ikën gjumit
mos e merr dritën e gëzimit të mbrëmjes
e mos i hap sytë deri në agimin e shekullit tjetër
fli ne gjoksin e ëndrrave të mia
pa fjalë
eja e ma sill ajrin nëpër të cilin mpleksen fytyrat tona
eja e bëhu fjala ime e parë
bëhu buza ime e çelur
e mos psherëti
mbahu te gjërat e mia të vogla sa planetët
e mos shko më
bashkë me ty le të vijnë largësitë tona e të hyjnë në hiç
e bashkë me to hyr në mua,
ashtu sic erdhe në jetë
pa u menduar gjatë
vetëm ashtu do jesh ti
e do rritesh e do rritesh sa herë duam
larg harrimit, përvuajtjes, mallit që na bren mëngjeset
eja, ç’pret
koha mezi i duroi pritjet e mia
kur luaje me faqekuqet përvëlake nëpër parqe
eja
lëri të shkojnë shoqet e tua
me vete merr ëndrrat për to
të t’i lidh në gjakun tim
e të t’i kthej në dashurinë time për ty
eja e me vete sill edhe stinët
mos mbet’ i huaj sa koha që s’të njoha,
hidhi tej puthjet e grave që të përflakën në vite,
harroji ato ëmbëlzaket mëkatare që t’i fikën zjarret netëve të verës,
që, me buzë të ndezura dhjetoresh ta mbuluan trupin
ato që të mbyllën në guva të thella pikëllimi
e që shkriheshin kur shëtisje nëpër to si zog i trembur
tek vrapoje si i çmendur grash
në kullën time kam vite që të këndoj këngët e pritjes
e ta kam falur vonesën
pritja e gjatë s’më lodhi
as përpëlitjet mes lotësh
po ti eja e mos shko sërish
po pra, eja
e sillmi puthjet e tua, edhe fluturat e zjarrit
edhe fytyrën tënde zverdhur vështrimesh të mia ndër vite
asgjë nuk mund të ndodh tjetër pos të më duash si syri dritën, si buza puthjen
harroji të gjitha dhe eja
merri me vete duart e gjata që t’i dua
edhe gishtat që kanë prekur dhjetra lëkurë të kadifenjta
edhe zemrën e plagosur prej tyre
ashtu siç je, eja
të t’i shëroj plagët e grave që të lënduan
eja, se pastaj bëhet vonë
e dielli derdhet rrëke në natën time të gjatë

Edhe një dashuri e vogël është gjithçka

Ti më the që i besoje heshtjes më shumë se fjalës,
që vështrimeve u besoje si sytë e ballit
dhe më pe ngulmueshëm,
sikur më ngrite ndër hapësira me atë vështrim të përskuqur
pastaj heshte siç ti dije…
dhe nëpër kohën që na rri pezull në mes
rrokullisje ndonjë dashuri vocërrake
pastaj, ashtu edhe ndonjë fjalë kërthij të pazonjën as për vete
fjalë që mezi mbahen në këmbë…
e kur afrohem të të mbaj ndër buzë
ti tërhiqesh në zguarin tënd prej të urituri narcist…
ti e di që s’mund të duan të gjithë,
s’mund të duan…
sepse s’munden…
sepse dashuria kërkon ballë të gjerë që valon burrë të madh…
Ti vazhdon të më thuash që heshtjes i zë besë më shumë se fjalës.
Gjethet e dhjetorit s’mund të qëndrojnë në pemë
ato bien
herë mbi duar,
herë mbi koka,
herë bëhen ara me pritje e bien furtuna mbi shpatulla të pamësuara…
Të pash në ëndërr sot…
nganjëherë të njoh,
të njoh,
dhe kur të njoh, të dua gjer në asht,
pastaj, puhiza e ditëve të mbyt, të vë përpara
e ti s’njihesh më,
nuk njihesh,
nëse je furtuna që më shkallmon brinjët
prej zemrës që shpërthen
a je pluhur i sajuar nga histori princërish antikë…

Pavarësisht të gjithave

Pavarësisht të gjithave,
e kam ditur
që, nëpër shtegun e ballit njerëzor, kalojnë mijëra ditë të hedhura dëm,
e kam ditur që, në sytë e qenies, trokasin dhjetra ylbere mjegullash,
që, në fustanet e nuseve të reja, vulosen mjerisht mbresa e kënaqësi burrash çfarëdo,
e kam ditur
që mirësia mbetet qëllim i dështuar i çdo mbrëmjeje
dhe hënë e përjetshme rëndon plumb mbi shpinë
si gjëmimi.
Mbi qepallat e njerëzve lexohen peizazhe të ngrira ëndrrash, pastaj edhe erërat që bien aromë qumështi gjinjsh
e portokajsh të kalbur,
mbirë nga tokë beronjë.

Dhe ti sheh si thinjen kohët, si plakat e bulevardeve barbare,
zhvishen si vajza të përdala rrugësh,
dhe fati i tyre në kryqëzim
të pëshpërit në vesh
“kohët janë stuhi, stuhi dhe ikje”.
Pastaj, çdo ditë, sheh si përçahen bukuritë,
himnet mortore këndohen në çelje dasmash
mbrëmjeve u shkulet nga një dimër motak
dhe çdo nate i varet nga një nuskë
për ardhje të mbarë të së nesërmes…
Pastaj sheh pikëla, hënëza, yje të veçuar,
tek hidhen, palohen, rrëshqasin, zgjaten qiell pas qielli
dhe shpresa rritet si lastar
e bota e vërvit në hiç.
Pavarësisht këtyre,
janarët vijojnë të zvarriten shpresëmëdhenj drejt dhjetorëve,
derisa fiken,
polet e fshat-qytet-shteteve bashkohen
dhe gjithë bota mblidhet në një pikëz.
Dhe njeriu i pjek me sy,
të gjitha,
dhe s’bëzan
as kur mbi gërmadha pikojnë,
çdo çast,
pinjollë tufanesh
fëmijë stuhish, syferinash,
stinë të ngrira, acare shpirtrash
endacakë pa strehë malli.
Të pambrojtur shohim
kobin e madh që vrapon mbi njerëz,
mbi ndërtesa, mbi rrugë, mbi makina, mbi lodra,
mbi mite, mbi gjëra të shenjta
dhe gjithçka lëngon
mbi jehona
që shpërthejnë nga gojë qytetesh fatale.

Më vonë mësova ç’nuk dija,
mësova shtegun misterioz të grave
prej nga ku kalonin burrat për dorëzimin e shpirtit…
E zbulova nga vinte vdekja…

Kambanat u fikën

I.
Kështu na vijnë të tashmet,
si kohë centrifugale,
ndonjëherë edhe si rëndesa mbi re,
pastaj,
edhe si kohë e çmendur që shndërrohet në moral,
moral që rrjedh si përrua i ndotur…
Ashtu ecin të tashmet,
gjersa mes syve
na shtrihen mijëra kilometra me mëkate.
Xhaketat na bëhen dhembje për trupi
e dhembjet nuk flenë ngrohtë
dhe dridhemi
dhe heronjtë na bërtasin nga vite të thella,
dhe njerëzia thinjet çdo ditë…
e sytë e kokës i mban mbyllur,
si dy zgavra historish të vulosura përjetë.
II.
Dhe nata hesht nëpër damarët e kombit,
moteve u dalin rrënjët bashkë me hiret e tyre prej ideali,
tani era pret shpatë,
si erë e panjohur.
III.
Autokolona mendimesh
shtyjnë e pështyjnë botën.
Dhe vetëm kaq.
Pastaj heshtja merr kohën e vet,
merr kohën e vet
dhe i jep emrin e saj
dhe drita kërcet
dhe hëna thyhet
dhe njeriu ha njerinë,
hundë për hundë.
IV.
Kambanoret u fikën
qysh me fikjen e diellit të parë…
Ajri la shpirtin në kaos,
pastaj u përkund bashkë me të
dhe u ngjitën në shtyllën e nderit,
për të parën herë,
për të fundit herë,
për të përjetshmen herë.
Variacion jete shëmbëllen e gjitha kjo,
me ca koka muzgjesh
që llampat mbi ballë i mbajnë fikur,
gjithashtu.
V.
Dhe kryqëzimet e rrugëve harbojnë,
zgjohen e kokolepsen si të zëna rob,
dhe toka shtrembërohet nën këmbë grumbujsh…
Netëve vonë shpërthen muzika, seksi, dehja,
ndarja e bashkimi i botëve të vogla,
pastaj edhe bashkimi i trupave, ndjenjave,
mendjeve, vrasjeve, hijeve,
bashkohen-e-ndahen-
e-ngjiten-e-ngjizen-
e-ekzekutohen-ceremoniale.
Deri në zbulimin e rrugës së re
hahen, hënë për hënë.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: