Lindita Ahmeti

Lindita Ahmeti (lindur ne 26 prill 1973 në Prizren). Është një poeteshë shqiptare. Lindita Ahmeti lindi në Prizren. Pas diplomimit nga shkolla e mesme në Shkup, ajo studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit, ku edhe u diplomua. Ajo aktualisht punon në Institutin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve dhe është anëtare e Klubit PEN në Maqedoni.
Lindita shkruan poezi në gjuhën shqipe që nga fillimi i viteve ’90. Merret edhe me përkthime nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja në shqip. Poezia e saj është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme. Jeton në Shkup. Librat e botuar në gjuhën shqipe: 1993: Mjedra dhe bluz; 1996: Ishulli Adular; 2000: Brezi dhe Zonjës; 2004: Vetë perballe Erosit; 2008: Lulja alba (zgjedhje); 2015 Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim; 2015 Dhoma pa derën dalëse. Përkthime në maqedonisht: 1998: Камена месечина (Hëna e gurtë); 2002: Син сон (Ëndërr e kaltër); 2007:Призивање во април (Evokime në prill); 2011: Утрешните монети (monedhat e nesërme) dhe në gjuhën bulgare 2008: Пролетен копнеж, ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake.

Kulla

im atë del nga shtëpia
pa vënë re kulmin që mungon
futet në hapësirën e pafundme shkretinore
i mbështjellë me gjysmëterrin ngjyrë vjollce
dhe me të ftohtin e thatë
del të sodisë
t’i venerojë pikat e shtigjeve
që shpiejnë në tri qytetet e pikëlluara
e vë dorën im atë mbi vetulla
asgjë e veçantë
vetëm kulla
e lartë e lartë
po kulla është diç tjetër
asaj vetë ia ka vënë themelet
fshati s’e çmon veprën e bashkëfshatarit
prandaj askush s’e heton
im atë ia kthen shpinën kullës
pastaj ulet në rërë
duke i fërkuar duart prej së ftohti
kulla
sërish kulla para tij
kulla në pafundësinë ngjyrë vjollce
noton në vetmi
ngado që kthehet im atë
kulla para tij
ai shkon me bohçen e dhembjes mbi kokë
kulla i bën roje lartësisë dhe bardhësisë
dhe duket larg larg
midis gjysmëterrit
me veshën e saj prej fildishi
me stolitë prej vargjeve të ndritshme
me këngën time të këputur
me frymën e ngrohtë të erosit
pastaj brof në këmbë im atë
era e ftohtë bën muzikë
kurse grimcat e rërës lozin vallen e vetmisë
nga dritaret e shumta të kullës rrumbullake
fluturojnë flutura të bardha
u nis im atë
ylli i dritës lart
kjo kullë poshtë
ai i ka koordinatat e mëngjesit

Lutja e fëmijës

në fillim hoxha e nxjerr kokën nga minareja
pastaj zëri i ezanit me tufa dridhërimash
futet nëpër dhoma
zgjohuni
koha është të faleni
në atë çast dielli i artë shfaqet mbi kodër
nga kuleta madhështore e trëndafilit
del drita parajsore
zbulon fytyrat e verdha të besimtarëve
të përgjumur
të cilët nguten kah tempulli
sepse s’kanë kohë
udha për në parajsë është e gjatë
mirëpo lutja e tyre mbetet nën palën e freskët
të mëngjesit
nën heshtjen e hekurt
e nuk ngrihet lartë
kurse në qiell
në qiell dëgjohet vetëm vaji i foshnjës
pastaj bie shi në tokën e plasaritur

Udhëtimi i babait nëpër këngën e vjeshtës

hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babanë të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi shfaqen kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqip

Në boshllëkun e trungut

me vite një zot e di sa
unë jam në boshllëkun e trungut
të drurit qindvjeçar
një dru i nxirë nga korbat që rrinë në degët e tij
e rreth të cilit sillen ujqit e uritur
një dru të cilin kanë harruar ta presin ushtritë e huaja
kah kanë bredhur nëpër dheun e shkelur
një dru në rrënjët e të cilit ruhet nga të lehurat thesari i rimave

rri unë aty brenda në garroq
me frymën e lodhur dhe me dridhma
e stërlagur nga lotët
i dëgjoj krimbat si e brejnë drurin
dhe e ndjekin vargun më të ndritshëm
shikoj nga bira që e ka bërë me kamë një ushtar
i cili ka dalë prej rreshti
dhe ka shkruar
ululare cum lupis

rri shtang aty
e pres ndonjë yll të bjerë
ndonjë zog të ndalet
ta shoh ndonjë bukël
a ndonjë kaproll duke kullotur
ndonjë lule ta ngrejë kokën e të shfaqet
në perspektivën e birës së drurit të rrethuar me injorim
ta shoh ndonjë pikë lashte në fijet e barit
e mbi to fluturat që vallëzojnë
dhe ta dëgjoj ndonjë trishtil
a ndonjë qukapikth
ta dëgjoj nimfën si i bie lirës
dhe si këndon pranë burimit

kur bie terri lutem
që të pushojnë britmat e satrapit nga fshati i djegur
nga froni i hidhëtisë së përditshmërisë
se kur arrijnë britmat
edhe këtu përreth
këto virrma bëhen
flakë jeshile që e rrezikojnë drurin
mua në boshllëkun e tij
shullërin e paprekshëm
jehonën e këngës së orfeut
që ma mbron shpirtin e dërmuar
dhe erën e mirë të vjollcave
të strehuara ndër fjalët e poemave rilindase

ndonjëherë shfaqet një siluetë
në këndvështrimin tim
qëndron në cep të shkëmbit të murrmë
të cilin ma rrok shikimi
bien në sy dylbitë që i mban ajo
duket kjo punë
ajo ndjek dikë
pastaj nëpër ajrin plot vrugtësi
nëpër shiun e imtë
duken njerëzit si kthehen dhiareve të malit
nga hadi
e marshojnë të kërrusur drejt atdheut
vijnë me shpresë se do ta ngrenë kullën e katragjyshit
të bardhë e krenare
në bukurinë tonë vetmitare
ecin ata
po një pash vend s’e kalojnë dot

unë e hetoj se plagët më shtohen
nga kandrat parazite
nga ngushtica brenda në trungun e drurit
nga dhembjet e këmbëve
që m’i ka kafshuar ndonjë zvarranik helmues
atëherë më vjen të bërtas
më vjen të vrapoj
të shkoj fluturimthi shtegut të malit
që zana e stolis gjithmonë
në të dy anët
me lule
iris illyrica
por larashët sillen rreth drurit

do të kisha dashur ta jap kushtrimin nga vetmia
ta tregoj përrallën e kuqe përrallën e vrugtë
përrallën e mashtrimit me kalin

po kush do të më nxjerrë mua
nga ky boshllëk i namatisur
kush e dëgjon zërin e vetmisë së madhe
nga barku i drurit të molisur
e të mbetur brenda kufijve të mendimit të zi

këtu ku jam unë edhe erosi të harron
jo më dikush tjetër

o zot
më duket se po shndërrohem
në një ndërgjegje që s’bren
në një flutur të mbetur në xhepin e errët
të ngushticës së drurit
që s’ka dalje
ku nuk të vëren kush përveç merimangave
që përgjojnë në cerimanga
pos thneglave që ma kanë vërshuar shtatin
thuajse të shpenzuar
mua që si hamadriada jam bërë pjesë e drurit
të cilit vazhdimisht dikush i matet me sëpatë
siç i maten instancat poezisë

Muza

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: