Elona Çuliq

Lindi në vitin 1986 në Shkodër. Ndonëse një zë i ri në letërsinë shqipe, poezia saj njihet për një formë misticizmi që rrjedh natyrshëm, nëpërmjet një gegnishteje të pasun figurash letrare. Është autore e dy librave me poezi “Pa titullni” botuar në Vjenë në vitin 2015 dhe “rranjës e kangës” botuar nga shtëpia botuese Fiornetia, ne vitin 2018, me mbështetjen e Fondit për Shkrimtarët e Rinj, nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Fituese e disa çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit, poezia e saj është përkthyer në gjuhën italine, angleze dhe gjermane. Ka qenë dy herë prezantuese e letërsisë shqipe, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, në Panairin e Librit ne Leipzig dhe në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Ajo ka qenë e ftuar si shkrimtare në rezidencën letrare “Artisti në Rezidencë”, mbështetur nga KulturKontakt Austria, në vitin 2017, dhe në rezidencën “Prishtina pa lumë”, mbështetur nga Qendra Multimedia, në vitin 2018. Guximtare në zbulimin e vetes dhe shpërfaqjeve artistike ajo ka eksperimentuar në fusha të ndryshme si përkthimi, shkrim drame, pikturë, instalacion dhe performancë. Kjo i hapi dyert si pjesëmarrëse perforumese në Bienalen e Artistave të Rinj të Mesdheut, Festivalit të Dadaizmit, oragnizuar nga Poeteka dhe në Teatrin Volkstheater në Vjenë. Larg nga zhurma dhe me maturi, Elona shkruan për të përditshmen gati me naivitetin e një fëmije, i cili duke qenë më afër Zotit, thotë të vërteta që na shokojnë.

**********

brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve
ne nuk na mësuan dashninë
prandaj vrasim
nuk na mësuan të flasim
prandaj vrasim
fminia jonë
raketë prej letre
lazdrohet në qiellin e duerve të nanës
vetëm ajo ishte gjithmonë
duke na gatue të ardhmen
duke na la e shpërla nga idhëtinat e kohës
duke na veshë e zhdeshë në rritjen tonë
duke na hedhë grushtin e ujit mbas çdo dite të parë të shkollës
vetëm nana ishte
gjithmonë
mbas
babës që rrinte deri vonë në punë
babës që vinte i lodhun në shtëpi e s’duhej idhnue
babës që flente e tanë shtëpia bzante
babës që kishte halle e s’duhej trazue
babës që kishte të drejtë me e çue zanin
se ishte shtylla e shtëpisë
kurse
nana ishte vetëm
gjithmonë
:
grue që lind e vritet
grue që rrit e vritet
grue që të mëson dashninë e vritet
grue që të mëson faljen e vritet
grue që martohet për dashninë e vritet nga dashnia e vet
grue që lind fëmijë në emën të dashnisë e vritet në sytë e fëmijëve të vet
grue që lind e vritet
nga burri që nuk diti
që refuzoi
që nuk mundi
që dështoi së mësuemi forcën e dashnisë së saj
brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqën e dëmonëve
ne nuk na mësuan dashninë
prandaj vrasim

Aleppo

bregu jonë asht trupa fëmijësh të vdekun
me qytete të bombarduem në bark
notojmë në ujna mbushun me kufoma
duke largue me duer andrrat që i kanë ra prej syve
heshtja jonë ka ngulë rranjë e ndërton mure verbnie
nuk shohim
nuk na dhemb
kjo nuk asht lufta e jonë
këta të vdekun nuk janë tonët
pa drojë notojmë në ujnat që dallgojnë
frymët e shueme të njeriut
asgja nuk asht e sigurtë
frika asht më e madhe se qielli përmbi krye
dhe ngushllimi një lule e verdhë që çel në nadet e vona
fundi ekziston
nuk e shohim
na sheh
na përkufizon
a thue ka një kohë me u pendue
?
indiferentë mbesim
teksa të vdekunit mblidhen në breg
varri i tyne asht shtëpia jonë
vdekja e tyne asht vdekja jonë
.

**********

ndodh që nga vetmia e tepërt
fjala me na u pezmatue në buzë
e mos me mujtë me folë as veten
trupi krahët sytë
me harrue ndjeshmëninë e ndërveprimit
e me u ndje i huej edhe nga prekja e dorës tande
nga shikimi i vetes në pasqyrë
apo nga tingulli i zanit tand në ajrì
ndodh që nga vetmia
me u transformue
dhe gjallnimi me u shndërrue në një shikim të ngulun
në zbrazëtinë e kohës varun në murin e verdhë të kuzhinës
me e ndje si kanga e jetës shterret në fyt
e mbetet vetëm shije e idhët e pendesës
nga vetmia e tepërt harrojmë përgjigjet
çfarë ngjyre ka lulja jonë e preferueme
çfarë shijet ka gjella e ngrohtë e nanës në pjatë
harrojmë ritmin e trokitjes së babës në derë
dhe ditëlindjet e njerëzve të dashtun
bëhen data me të kujtue sa e thellë asht plaga jote
nga vetmia e tepërt mësojmë me i ngjitë malet vetëm
dhe kohën e gdhendim kujtim në gurët e diellit
zogjtë i bëjmë miq
dhe bëhemi armiq të vetes

**********

ata që jetojnë vetëm janë të frikshëm
jetën e përmasojnë vetmisë së tyne
gatuajnë sa për një vetmi
as një kafshatë ma pak
asnjë kafshatë ma shumë
i mbërthejnë zinxhirët e pasëm të fustaneve vetëm
herën e parë duke mallkue nga i pari deri te i mbrami qiell
mandej gëzohen
ata nuk kishin nevojë për kend
,
ata që jetojnë vetëm janë të frikshëm
shtrojnë tavolinat bukur
gatuajnë pjata të mira
gjithmonë si për festa
dhe ulen me hanger vetëm
me muzikën e tyne të preferueme në sfond
ose në rastin ma të keq
kur ndihen nostalgjikë
rrëmojnë nëpër faqet e muret dixhitalë të jetës së miqve
,
ata që jetojnë vetëm
nuk kanë frikë nga errësina
nuk mërziten kur u digjet amëlsina në furrë
nuk mërziten për pirgjet e rrobave të papalosun
apo për kafet e shtyeme me miqtë
ata janë mirë
janë vetëm
mësohen pa e kuptue me mungesën
e një pjate të dytë në tavolinë
me një dorë që i mbyllë zinxhirin e pasëm të fustanit
me një dorë që i ledhë flokët para gjumit
me një dorë që ia shtrin rrullat e një dite të lodhshme
,
ata që jetojnë vetëm janë të frikshëm
shkojnë në park vetëm
shëtisin vetëm
pijnë kafe vetëm
bisedojnë me veten
grinden e shahen me të për shtigjet që duhet të marrin
e në fund vendosin vetë për ku
shtrihen në bar
e lexojnë, ta zëmë 232 faqet e “Pallatit të Ëndrrave” të Kadaresë
pa e ndërpre veten asnjëherë
,
ata që jetojnë vetëm janë të frikshëm
dhe ma të rrezikshmit për me u dashtë
.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: