Erina Çoku

Erina Çoku ka mbaruar shkollën e mesme “Pjetër Budi” në Burrel (1994-1998) dhe studimet e larta për Gjuhë-Letërsi (profil Gjuhësi), në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003).
Ka botuar dy vëllime poetike: “Krahë s’kanë ëngjëjt e mi” (“Toena”, 1997) dhe “Gjurma e gjethes” (“Botimet WestPrint”, 2011).
Poezitë dhe e shkrimet e saj janë publikuar në revista, antologji dhe mediume të ndryshme letrare, si: “Poeteka”, “Milosao”, “Radi and Radi”, “Poets and Writers”, “Botimet shqiptare”, “Fjala Review”, “Emathia”, “Kultplus”, “Tetova news”, “Darsiani.com”, “Mapo”, “Telegraf”, “Dita”, “Observer.com”, “Albmendimiarts.com”, “Shekulli”, “Tirana Post”, “Shkodra Press”, “Zemra Shqiptare”, “Gentlewomen”, “Fjalashqipe.com”, “Koha”, “AtunisPoetry”, “Revista Letrare” etj.
Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme poetike, si: “Poeteka”, “Portiku letrar”, Festivali i poezisë së pabotueme”, “Verë dhe poezi”, TransformArt”, “Takimet Ndërkombëtare Azem Shkreli”, “Këngë dhe poezi”, “Ditët e naimit” etj.
Ka pasur një bashkëpunim artistik (si krijuese dhe redaktore) për tekstet përshkruese të pikturave të artistit italian Luca Moriçi (Luca Morici) paraqitur në ekspozitën “Il dolore” (Dhimbja), 2012.
Është redaktore e mjaft librave me poezi, ka punuar prej vitesh si redaktore letrare në shtëpinë botuese “Pegi” dhe aktualisht punon në Qendrën e Botimeve për Diasporën.
Po përgatit veprën e tretë poetike…

Blatë

Po të ishte e thjeshtë dashuria,
nuk do të ngjante në shpirtin e njeriut
si buka e ngrohtë e një vakti dimri.

Shpirti yt, brumë i paardhur mirë
diçka do të ushqejë,
por e ngrohta asnjëherë nuk është e sigurt,
në magjen e një dimri.

Orë e ndërmjetme, stinë pa përmasa
hëna matanë reve si një grua vetmake
botën ngrin ngadalë, thërrmijë pas thërrmije.

Plazmike, e paqëndrueshme si merkuri dashuria
e lëndët, amorfe, asnjëherë krejt e mbartshme,
nuk mblidhet prej toke në duar,
sidomos në dimër.

Po të ishte e bukur dashuria
nuk do të ngjante në shpirtin e njeriut
si vera e ngrohtë në qiellzën e gruas së heshtur.

Trupi i qytetit është i lagësht
e shqisat nuk përkojnë më me ndijimet,
po dritat e mekura në qafën gruas
përthahen si plagë të vogla, të kuqe.

Imazhe pa ngut, presin të mpira pranverën
teksa gjithsej përmbyllet me tinguj të imtë
që lëmohen në kraharor pa forca fërkimi.

Përmasat e tokës tkurren
si lëkurë e ftohtë në rrymë ajri,
gjersa dheu shndërrohet në kothere të mardhur
dhe këmbët shkasin në bukën që asnjë uri nuk shoi.

Kështu jam nisur për në mendimet e tua,
me ecjen e pasigurt mbi kotheren e dheut
dhe pse nuk di a shkruhet mbërritja në hapat e mi
a veç zogjtë që më dalin prej kafkës mbahen gjallë aty.

Në cilin cak të qenies e ruajmë atë borë të shkrirë
që iu tutëm ende pa rënë?
Zërat zbuten si krijesa të vogla të ushqyera mirë
e figurat davariten pa lënë asnjë shenjë të besueshme.

Kur të mbarojnë ditët e porositura në diell,
do të të përqafoj me netët e humbura në kohën e shiut
e do të shkruaj diçka përngjarë me një poemë
që udhëtarë të tjerë si ne ta kundrojnë me përshpirtje.

Ky nuk është lloji i fjetjes kah ylli i veriut,
por trupi yt si një enë ku ndijimet shkasin ngadalë…
A ke ethe? A ke ethe të buta të fshehta, si dehje muzgu?
Atëherë bëmë bukë e verë në udhën tënde pa stinë.

Shpirti tretet lakuriq

Prej resh biem ngadalë
si mjaltë i tejdukshëm
e pa kujtesë uji,
biem ngadalë, aq ngadalë
sa koha kalamendet në ne
me historitë e saj të ngjitshme,
mahitëse po aq sa heroizmi i kotë
i një blete në lëkurë të njeriut.

Gjithmonë biem nga diçka
mbi një sipërfaqe të sheshtë
që rrafshon të nxehtën në të ftohtë,
temperaturë guri asnjanës,
herë dukemi të mysët,
herë dukemi të lugët,
asnjëherë njësoj.

E duam shiun
jo se na shket zverkut
me mbresën e qiellit
pikë zero pa asht,
po se na nduk brengat
e na i sheshon në hoje të trupit
me melankolinë e një amvise të përkorë.

I duam pemët
jo se janë tonat
e na mbijnë në mushkëri,
sa herë kujtohemi për jetën,
por se pa to ky dheu ynë
ka aq pak gjëra për t’u dashur.

E duam hënën,
jo se është jona
e na ndjell të dalim prej mishi,
por se është murgu më i besueshëm
për t’u rrëfyer në orë vetmie,
orë agjërimi hijesh, zemërplasjesh.

E duam dy herë hënën
jo se na përket,
e na i qep plagët me gishta të hollë
pa pikë mëshire për dhembjet,
por sidomos për atë fytyrëz të bekuar
që duket sikur na do përnjëmend.

Bota e ka kryqëzuar lakuriqësinë
jo për të ngjarë e denjë,
por për të harruar
që krijesa vdes me vdekjen
nëse trupi nuk vesh asnjë shpirt.

Prandaj hëna nuk ka asnjë trup,
prandaj shiu bie mbi pemë,
prandaj pemët i ha toka,
forma lakuriqësie të pastra
për sy të kthjellët.

Njeriu i përveçëm,
fill i endur
në shtizën e një perëndie të thinjur
është krijuar për të veshur shpirtra,
prandaj ti ma trego frymën tënde lakuriqe
dhe unë do të të them
nëse më përket i gjithi mua.

Në re ngjitemi aq ngadalë
si shpërbërje e bardhë pa emër
e aq ngadalë kondensohemi 
brenda syve tanë
sa nuk e dimë si bëhemi udhëtarë
brenda një rrethi uji të përsosur.
Shkojmë e vijmë, shkojmë e vijmë.

Poemë e zotit ndë gjol të thellë

POEMË E ZOTIT NDË GJOL TË THELLË
PZot-ynë ra ndë liqen
e retë u zgjatën tërë nge
të shohnë vallë si na qe
shenjtëria vetë përmbi dhe.

Zot-ynë ra ndë liqen
valëzat e ndjekin një nga një
me njëra-tjetrën mbajnë rend
si peshka të vogla cëk më cëk.

Zot-ynë ra ndë liqen
e sytë na i mbushi plot
tek ujtë e shohim vate vjen
ai vallë a na sheh dot?

Zot-ynë ra ndë liqen
si për të na mbajtur ne mbi shpinë
na çoi shpirtin lart në re
e ra në ujë sa i hodhëm synë.

Zot-ynë ra ndë liqen
shpirtrat mbi ujë na i mbajti,
kodrave shkau pështjellë me re
erdhi teposhtë për së larti.

Zot-ynë ra ndë liqen
e brengat thellë na i humbi
kodrat mbajtën mbi supe retë
se ngjyrë të bardhë, se ngjyrë plumbi.

Zot-ynë ra ndë liqen
këtu një pemë, atje një varkë
ca kallamishte diku më tej
ca gurë të ngrysur, ca gurë të bardhë.

Zot-ynë ra ndë liqen
e gjithë ç’deshëm e harruam
ndaj morëm frymë edhe njëherë
se kush kujtoi e kujtuam.

Zot-ynë ra ndë liqen
qiellin e bardhë me sy e shkruam
se kush harroi mall e brengë
mu ndënë ujë e harruam.

Dhe udhës kodrat nëmëruam
që uji brengën ta shtyjë tej
kush dashuroi kur dashuruam
kush na mëkoi shpirtin e mjerë?

Zot-ynë ra ndë liqen
e mori frymë ai pa fjalë
kush udhën në heshtje na e gjen
me këngë shpirtin na e kthen mbarë.

Kush paqen me ujë nëmëroi
kush zemrën plot e pati
ashtu kjo jetë e shënoi
te Zoti ynë, e pastë fati!

Zot-ynë ra ndë liqen
unë s’qeshë shumë lark
e pashë vetë si gjeti prehnë
i hyri ajri, shpinë e bark.

E mora frymë thellë
ndë ujë kur e pashë
dritën e shtruar, dritën e qetë
që qiell e ujë i bëri bashkë.

Mbi kodra pemët urtë rrinë
si t’jenë të Zotit nëmëruar
si t’jenë ujin duke pirë
prej qiellit shtruar-shtruar.

Dhe kodra-kodrës qetinë ia jep
me këngë e ujë të thjeshtë
liqeni paqen në shpirt ta mbjell
porsi Zot-ynë i madh vetë.

Blaspoema

Ka dal gruja me taku’ Zotin
n’mjêdis t’udhs muzgu râ
me dâ mendt, me mbledh motin
m’i gjet jetes breg e an’.

Grue grue çka po pret
râ n’menime çka po pvêt’?
Po pvêt zotin m’i kallzue
si â mâ mir me jetue.

Prite Zotin se po vjen
ene tâna po t’i bjen
prite hyun se po t’gjen
t’keqen t’merr, t’miren t’len.

Ai vet ka me t’kallzue
si letohet kryet e rând,
ai vet ka me t’diftue
uj, ajer ene lând.

Prite Zoti se po vjen
prej eteri dalkadal,
n’krye t’shtegut tepo t’gjen
me i nrru me ty do fjâl.

Ka dal Zoti me taku’ grun
ka pvêt Pjetrin kah me shkue,
tri her aj ka ngatrru udh’
tri her pvêt kah m’u drejtue.

Heu, ju njerz ç’paski bâ
kurrgjâ n’kamb s’kenka mâ,
kurrgjâ s’asht si e kam lan’
kurrgjâ s’asht si e kam than’.

Fryms n’mue ju perngjâ
me durt t’mia ju kam gatu’
porse dheu lamsh â bâ
nuk njof mal, nuk njof fush’.

Ka dal Zoti me gjet grun
me marr vesh çka e ka gjet’
asht i bindun se m’e nihmu
ka me kên krejt e leht’.

E po vjen kadal ky Zoti
terezin’ pa e prish kurr,
Hijerand si ka kên moti
Hijerand kreshnik burr’.

E gjet grun tu ofshâ
vetun krejt ajo po rri,
diten nata ia ka perlâ
naten dita ia ka perzi.

E njikshu jasht kohe mbet’
gru e Zot si per kuven’
t’dy bashk na jan gjet’
jep e merr dy pare men’.

Gru e vocerr a m’ke thirr?
Pveti aj me za te rand.
Çka po don ti me dit’
ta baj t’leht un fatin tand.

Pse me mue (t’kam vu re)
jep e merr ti mijra fjâl
tu perpush sikunder je
diell me shi e dhê me hân.

Zot i madh a m’ke thirr?
pveti ajo nan zâ leht.
Çka po don ti me dit
n’fjal saora ta permbledh’?

Pse prej meje (kam vu re)
fjal veç fjal ti don me shkêp
dhe pse din (tan mend si je)
se prej shpirti ato i ‘xjerr.

Dhe pse din se n’mish jam fjala
fjala bre si qe e para,
dhe pse din se fjal jam n’frym
bahem zjarm e t’ mbloj me tym.

Njashtu si ti vêt m’ke krijue
n’magjen tande kur m’ke mbrue
e me frym’ m’ke frymue
rrno moj grue, rrno tu knue.

Un veç pytem pa pergjigj’
e pergjigjem bash kur t’pys
se nuk di si me dit’
çka din ti e çka din yjt.

Po ku ishe ti ateher
kur un sak t’kam kerku
e nuk çile prag as der
e nji zâ s’lshove per mu?

Ktu n’pakohen e kohs ngrime
ktu n’udhkryqen e dites time
ktu-atje ksaj udhe shkue
ke ardh ti m’u madhnue?

Tash si m’gjete flatrakput’
tash si m’pe zemerthy’
tash si balta jote e but
me lott t’mi asht ushqy’.

Tash çka don ti me ndreq?
m’u bâ ma i miri n’t’mir’?
Çka prej dhêmtes po na heq
çka letohet n’t’vshtir?

Prite Zotin se po vjen
prite tash qe ku erdh,
prite ndije tu t’bekue
zemren tânde tu dashnue.

Bash ‘ikshu shpesh kam thân
syt largpam vijes matân,
por sot ty po t’shoh nan vetull
ti me uj m’ke bâ ‘i ‘gjys-petull.

Sidoqoft mrî s’po t’mbaj
tant jena ne t’tan
un prej teje e ti prej mue
âshtit tand si jam krijue.

E pse ti don me nihmue
n’bes tande jam tu t’kerkue
dy-tri gjana me t’i dhan’
me m’i rujt kur t’shkosh m’at an.

Eja njat mor i bekum
mblidhi bashk t’dyja durt,
maje fort gjithça un t’jap
me marr ti e me çu’ nalt.

Qe urdhno fjalt prej gojet
qe urdhno tana ndijoret
merr zemren s’kam ç’e du’
merre menjen s’asht per mu.

Baje n’dur a baje n’shpin
shpirtin tim, t’rândin shpirt
se s’ gjen shtroj as gjen mbloj’
s’gjen qafim, as gjen mburoj’.

Merri kângt tu kendue
merre frymen tu dashnue
merri teshat me mendafsh
merri petkat ‘xjerri jasht.

Çka po duhen kto stolina
çka po duhen kto marrina?
Shpirti zemra s’duhen gjâ
qe u lehtova pshtova ma.

Prite Zoti se po vjen
se po vjen me t’nihmue
me ec vrap e me jetue
me hedh valle e me knue!

Foli gruja manej heshti
nuk lvizi as qerpik
e çdo gjâ zanin reshti
tuj prit Zotin si po ik’.

Zoti desht pak venit me lujt
grus heshtun me ju avit
as sa grima aj nuk mujt
as me fol, as me lviz.

Pse e rând zemra e grus
durve t’Zotit kisht qellue
pse i thell porsi nji pus
shpirti i saj nis uj me lshue.

E kshu Zoti meti n’ven
fjal-pa-fol e t’u u perpjek
se kjo pun s’i shkoi n’men
gruja gruen po e hjek.

E kshu sŷt tu kryqzue
bashk t’u pâ si â ma e mira
robi i lir, hyu robnue
thirrn fort rrnoft liria!

Qajn-qeshen bashk t’dy
kryqe-lidhun n’zinxhir t’liris
t’lir me ik po mbêt aty
n’pesh t’ândrres e t’dâshnis.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: