Eli Krasniqi

Elife (Eli) Krasniqi është antropologe, aktiviste feministe dhe shkrimtare.
Poezitë e saj janë botuar në revista dhe antologji letrare në Kosovë (Antologjia Rome II, 2015), Shqipëri (Poeteka, 2015), dhe janë përkthyer e botuar në revista letrare jashtë vendit (Beton International, Balkan Today,Teflon, 2017; Ausreißer, 2019). Në vitin 2010, drama e saj Citycide mori shpërblimin „Katerina Josipi“ (çmimi i dytë) nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Citycide u botua në 2017 (Qendra Multimedia), dhe së shpejti do të botohet edhe përmbledhja e saj me poezi.
Krasniqi është bashkëthemeluese dhe antare e Institutit Feminist për Studime në Shoqëri dhe Kulturë – Alter Habitus në Prishtinë. Aktualisht punon në Institutin e Historisë në Universitetin e Gracit në Austri.

lëkura jem

kjo asht lëkura jeme, e hollë e verdhë
të tejdukshme e përjetoj unë. nuk më mbron 
fare. asnjëherë. korbat bajnë strehë në poret e saj.

marrin frymë prej tyne
aty strehohet edhe qyteti 
çatitë e rame të shtëpive, flamujt e grisun të kombit. 
brenda enden gjallesa, edhe këlyshët e tronditun 
të goditun, të vramë e të verbuem, ciatin brenda meje.
më shpërthen gjaku nganjëherë
zemra e brishtë. eshnat e brishta. unazat e kurrizit, 
si grila burgu, mbajnë turbinat e jetënave tjera. 
lëkura jeme asht e hollë e verdhë vezulluese
burgos dashnitë e vrame. e kur nganjëherë dalin,

qyteti jashtë i vret për se dyti. i fus brenda përsëri,

si kujtime që veniten. i njom me gjakun tem për me mbijetu
edhe një mëngjes pranvere, nën strehën teme lëkurë.

borë n‘prishtinë

shpirt, po bjen borë n’prishtine,
të gjithë janë gëzu, mue mu lagën shputat
se çizmet e vjetra kanë ecë shumë këto vjet
tu kërku pranverat e mëshefuna.

qyteti asht ba i bardhë, nuk më njeh ma,
në rrugë shoh të rinjë tjerë
sikur na, mendojnë që revolucioni bahet
neve na u deshtë me i përbi revolucionet
me i marrë n’grykë së pari, me na i ndje vorbullat
e gjakut në gji.
revolet e heshtuna. dashnitë e burgosuna.

unë ka do ditë që ndihem sikur jam plakë, do ditë çohem
si fëmi. ato mëngjese janë të çuditshme kur i shoh vijat përfundi syve.

vazhdoj hala me gjurmu të kalumen, nëpër arkiva, nëpër
rrëfime njerzish. ty nuk të gjej jashtë vetes.
brenda meje të kam shterrë.

i paloj rrobat në kofera, prenotoj hotele,
udhëtime nëpër qytete, tu i ndjekë pasardhësit e skllevërve të zinj
më dhemb çdo pjesë e trupit për ta,
ma cfilitë shpirtin malli i tyne,
ndërkohë ‘mirësia’ e të bardhëve, më neveritë.

nuk më duron ky qytet, shpirt
më ban grumbull gjaku, si abort spontan,
më nxjerr jashtë kufinjve të vet. më degdisë
në pritje, unë nxitoj me u kthy.
sa herë vij, borë bjen borë shpirt.

liria në fyt

shpinën e kam të kërrusun pak. jo nga punët e shpisë,
asnjiherë nga punët e shpisë. as të shtetit jo.
të tjerët thonë është nga demelia
për me e dashtë trupin ashtu siç ata thonë se duhet.
mendjes i kam dhanë randësi, mos me u çoroditë nëpër rrjedhat
e ujnave të helmushëm prej të cilave shumë pijnë në emën të ‘zgjedhjes’.
më kanë thanë që jam e egër e mos-falëse. e bota jem asht krejt dhembshuni
por e thatë, nuk njomet me lule. i kultivoj veç kujtimet, për gjanat e vdekuna.
ka edhe lot, për gratë tjera me shpinë të kërrusun nga barra e randë e trofeve të lirisë,
për nanat që kanë gëlltitë kafshata të mëdha, për me mujt me kultivu botna të njoma,
edhe lule. disa kanë vdekë,
me kafshatën e lirisë në fyt, e robninë nyje në bisteka.

ag i kuq

ti ago o ditë e kuqe
gëzoju kujtimeve të vdekuna
merri me t’mirë shpirtnat e dlirë e të trandun,
mbylli vorbullat e errta e thuju në vesh që nuk jeni sëmundje mendore,
jeni droçka të këtij qyteti shpirtvocërr, që nuk asht strehë për qeniet e brishta,
as shpëtim prej rrenave të bardha, të thuruna me frikë e djallzi
ago ditë e kuqe, ago,
e nisja me varrezat, shtrëngo dheun e tyne me bar,
merri me t’mirë zogjt e pa strehë, mbylli sytë e tyne e thuju në vesh që nuk jeni ju verbnia,
jeni liria e mungume e këtij qyteti, shpëtim për të vërtetat, të ngujueme në nji gji të qullun,
gati për me u largu.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: