Brikena Qama
Lindi në Çorovodë-Skrapar në 29 Dhjetor 1978. Që prej vitit 1997 jeton në Athinë-Greqi.
Profesioni i saj është ndihmës-laburante edhe pse ka zgjedhur të punojë me fëmijë të moshave parashkollore. Aktiviste që në orët e para të emigrimit dhe poete e talentuar. Autore e katër librave poetikë: “Pëshpërimat brenda meje” 2013, “Bota poshtë takave” 2015, “Titulli i kujtimeve të mia” 2017, “Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje” 2018.
Gjithashtu krijime të saja janë përmbledhur në antologji të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrëse në një sërë aktivitetesh letrare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut dhe e vlerësuar në disa prej tyre. Për tre vjet ka qenë zëri i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, në pozitën e Zëdhënëses së Shtypit (2012-2015)
Drejtuese e prezantuese e një sërë aktivitetesh, promovime librash të autorëve të ndryshëm brenda komunitetit dhe miq autorë të ardhur, si dhe të autorëve krijues nga dy shoqatat letrare ku aderon me mjaft pozita menaxhimi dhe ndihmesë të vazhdueshme. Për t’u përmendur veçanërisht janë konkurset e Fjalës Artistike dhe Këngës, të komunitetit shqiptar, por dhe mbështetja që ajo ka dhënë e jep në të gjitha shoqatat e grupimet e ndryshme, me ndihmesën e saj energjike, të palodhur dhe sublime.
Dhomëzat e Hadit jepen me qira
Varrmihësi punon me mëditje
numëron plisat e lagësht
në shtëpinë e marrë me qira për pak orë.
Pas prezantimit me baltën, gurët, mikroorganizmat
humbet në fisnikërinë e profesionit të vetë.
Kur kapelja lundron në sipërfaqen e paralelogramit
vendos të dalë me copat e kontratës, shqyer në duar
me bindjen se asnjëherë
nuk do të ndërtojë një shtëpi të vetën.
Përtej vrimës së çelësit
Ndër gishta ende mbante përdredhur
rruzaren e perltë
dhuratë e një tjetër patosi të sapo shterur
Iu desh kohë të përzërë dremitjen
e të gjejë rrugën drej rubinetit zhurmues që s’pushonte së pikuari
Para se të hapte kanatat e drunjta të grilave
tërhoqi shkarazi cepin e këmishës (mbërthyer vëngër)
e mbuloi instiktivisht pubisin.
Në kthim
vendosi me kujdes rruzaren
në sendukun ku mbante kyçur hiret e saj.
Zarf i mbyllur
Të gjitha nevojat e mia vdesin në dëshirat e tua.
Ti vdes brenda meje të gjitha herët që ikën.
Unë e vdekur gjithsesi pas kësaj.
Qarkore
Im gjysh puthte çdo kafshore buke
Im atë pyeste çdo udhëtar nëse kishte uri
Ime ëmë më mësoi mos të bëj thërrime se shkojnë dëm
Unë, sot, hodha një bukë me koren e fortë për dhëmbët e mi
Ai tjetri, me dhëmbë me të fortë se korja, vrapoi pas meje dhe e mori
e qulli me lëngun e një domateje të zgërlaqur,
i hodhi pakëz ujë deti dhe pasi lëpiu gishtat mirë e mirë
u shëllërë sa gjerë, gjatë nën hijen e një pishe
me lumturinë ngjyrë roz në mollëzat e tij.
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt