Shqipe Bytyqi
Shqipe Bytyqi është autore shqiptare. Me profesion ështe arkitekte, gjersa me shkrime mirret që nga rinia e hershme. Në Kosovë, në vendin e saj të origjinës u kyҫ në lëvizjet studentore dhe politike të fundviteve të ‘80 dhe fillimviteve të ’90, për ç’arsye edhe u përndoq politikisht. Ajo migroi në Zvicër, ku jeton, vepron dhe është një zë i bashkëjetesës mes kulturave, integrimit të migrantëve si dhe të drejtave të gruas.
Ka të botuar:
-Dromca kohe dhe jete, poezi
-Brishtësi që s‘jipet, poezi
-Urë me vargje, poezi
Brishtësi e paepur!
E vetme, lakuriq
n’botën e ftohtë, t’ngurtë fare
errësirë, myshk n’damar
akull gjer’ në palcë
agoni vdekjeje
po shpirti…
Ah, shpirti!
I tëri strall
thellë n’zemër e di
nesër do lind dielli përsëri
e ajo mes terri e egërsie
do ngrit kokën
do hapë petalet
t’përthithë jetën e qëndresën
sërish e sërish…
Dhe brishtësia e rrënjëve
do shpërthejë gurë e beton
errësirë, ndalesë e padrejtësi
me strallin e frymëjetës të lulëzojë,
dhe era n’plasa betoni
farat e saj do t’përplasë…
E n’tjetrin sy mëngjesi
s’do mbesë e vetme ajo,
do mbijnë
tjera
e tjera
brishtësi të paepura!
Ç’ demon ulërin n’të?!
Sërish ai
ngrit dorëzezën mbi të,
sërish u gjet një shkas i pashkas
nga dashuria gjer tek urrejtja
nga besnikëria gjer te tradhëtia
t’shumtën, një hiç i hiçit
një moment, keq i mbërthyer kobi
Dhe një ditë t’paditë
sërish del ai nga vetja
sërish gjindet një mjet morti
duar të zbrazëta… shpeshi
apo dreq gjësend kobi
aso, që as mendja e Dantes, s’din t’pjellë
Dhe, sërish
rishfaqet një vendngjarje
shtëpi, punë
udhë t’mëdha bote, mbase
shtrat gjumi a dashurie
kuzhinë, mund t’ishte
e ndoshta, me duar n’bukë mrume
ishte ajo
Sërish, i zënë peng n’egon e llojit vet
ngjallet n’të demoni!
Sërish, n’mejdan t’pabarabartë muskujsh
shuhet një jetë!
Sërish, ai dybrirësh, rrahagjoks
me fytyrë e doke t‘’zakonshme
n’kërkim t’burrërisë së paqenë
vret e shuan jetë
Sërish e sërish
flijohet ajo
n’Panteonin mizogjin
aty ku më pas, jetërat rigojnë gjak…
Vallë, ç’demon ulurin n’të?!
Terra
Zjarr u mblodh në një top,
diell i thanë!
Uji rrodhi e shtriu t’jetënisjes flokënajë,
Ajri u ngjiz nga t’diellit rreze n’ujë
dhe toka Terra u lind
e terrët, e rrumbullakët
n’lëvizje
T’bijt, titanët
mu n’kto troje u lindën,
t’hash llojin tënd
mbase nga ta, fisi im trashëgoi
e Hyjnitë, këtu s’pari frymuan
u deshën shumë
e mes vete u vranë
u zhdukën
Edhe fisi im, këtu
mu këtu
zjarr, zili, mënxyrë
mbi veten
e mbi t’ëmën Terra, vjell
Mos qoftë për kob
kjo e ngjarë e prapë!
Pazar Shpirtërash
PAZAR SHPIRTËRASHT’pashë
nën çekanin e topitur t’ankandit,
ai goditi
dhe ti ndërrove Zot
e unë
me thonj gërrmoj
së koti kërkoj
vlera që s’nxirren n’pazar
Na paskan gënjyer,
çdo gjë paska një çmim
e tëra nxirret n’pazar
e ai botën han…
Sa kushton suksesi?
A blihet dashuria?
Sa peshon njerëzia?
Sfilata kukullash ditore
luftë brrylash t’zhugavt
fisniku çdo ditë shkrihet e përhumbet
troll që prodhon t’pështirën
skenë që ngrit jovlerën
dhe çekani godet…
Engjëj me krahë t’leckosur
ikin qiejve nxirë nga smira,
djaj me pamje njeriu
bëjnë bilancin,
tejkalohen pritjet
apokalipsi dhe parajsa
n’rrugën e qumshtit sillen e pshtillen
dielli lind i përçudë
i përgjakur…
Shpirtin ma tërheqin zvarrë
aty n’ankand
t’sfilitet
e t’shitet
Sa dua t’ngritet n’qiell ai
para se çekani t’bjerë!
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt