Vjollca Kuqi
Vjollca Kuqi u lind më 4 korrik 1970, në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Ka përfunduar Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë dhe Master për Menaxhim dhe Planifikim në Universitetin e Padovës në Itali. Është aktive dhe kreative në angazhimet e saj në shoqërinë civile. Shkruan poezi dhe pikturon jetën në përditshmëri. Nga krijimtaria e saj artistike ka botuar dhe librat poetik “Ankth i përkohësisë”, “Rituali i vetëkërkimit” dhe romanin Midis dy kohërave.
E bukura Rozë
Zanë moj, orë e bekuar!
Kësmetin për peri pse ma tërheq?
As për ditëlindje të Bab’s
Sihariq për mua s’dhe!
Çfarë bëre orë e kësmetit
Kur unë me sy hapur fle?
A mos vallë me fuqi rozë
Sehire më vë?
Shko e eja, eja e shko,
Lundro ditë e muaj,
Zbarko në motmote,
Me agime të bardha!
Pista rrudhash mimika skalit
Në lëndinat e gjata të ballit tim.
Shtojzovallet flokët krehin
Kurora lulesh rozë vënë.
Dasmë të vërtetë do të bëjmë,
Dhuratë nga qielli do të sjellin.
Perdja bie, aktorët shkojnë
Drama e jetës filloi…
Poezia loton
Të qava o poezi, me vargje të varrosa
Bota mbi kokë më ra në vendin e braktisjes së dashurisë.
Në bllogje e fcb mesazhe
Bëjnë projektet e jetës
Gyrbetqarët…
Fëmijët n’skajp gjyshërit përqafojnë
E askush s’qan trapin se ç’tmerr përjetojnë!
Qeveria pasurohet e unë varfërohem
More a po na mbulon i njëjti qiell?!
Shteti të shet në banak të kafenesë,
Kapitalet e krimit taksa në pensione venë.
Troftat e lumit piranat i hanë
Heronjtë e tualetit menaxhojnë nga jahtet.
Në kohën kur pleqëria quhej sëmundje virale
Pleqtë në vdekje gjejnë shpëtim.
Burgoset artisti, tolerohet fashisti
Në vendin ku askush askë s’e dëgjon.
Robërit nuk kanë kohë për revolucion
Luftojnë të mbijetojnë!
Streha e ashikut
Zura hijen time dhe e përqafova
Trupi prej mëndafshi shkrin me qesëndi
Gishtërinjtë cung prej druri zbuten
Në vrazhdësinë e kohës.
Guacat dhe gaforret e vogla
Mezi arrijnë në breg të oqeanit
Humba si e harlisur
Në rërën e plleshmërisë
Duke konservuar vazhdimësinë e species.
Flokët shprishen… fanari ndizet.
Avujt e trupit detin tërbojnë
Vala e ndjek valën e përplasën
Nga të qarat e shkëmbit.
Gjokset e përvëluara spërkaten
Nga aromë e detit dhe e rërës
Nën dritën e diellit
Ashikët këndellen.
Konvencionale
Preka qiellin e mendjes.
I pastër dhe nudo ishte.
Palaçot kërcenin e përgojonin
E ai i marrë dhe nudo ishte.
Tash Ai bëhet Ajo dhe nudo më nuk është
Gjeni i thonin dhe spektakël lavdërimi i dhuronin.
Sa e bukur dhe e zbrazët ndihej Ajo
Porsi një palaço e rrethuar me kameleon.
Natë pa hënë
Memece bërtas
Ledhatoj shpirtin tim dhe bie
Si e vdekur në bukurinë e zonjës mëmë.
Memece bërtas nën tingujt e erës,
Verbërisht përcjell valët një pas një
Në stuhinë e konfuzionit tim.
Në pakujdesinë time thyhet
Qelqi i heshtjes
Shtatë vjet kismet vajze prishi…
Ooo, më lini të jem e shthurur
Nën çatinë e marrisë
Të së shtrenjtës mendje.
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt
Ky eshte origjinaliteti i nje poeteje te lindur, qe energjine e saj e shkrine ne vargje! 💜
LikeLike