Nora Prekazi

Nora Prekazi Hoti u lind dhe u rritë në qytetin e Mitrovicës. Është diplomuar për Etnologji në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe MA për Antropologjinë Urbane në Akademinë e Studimeve Albanologjike, për Studimet Antropologjike dhe Artet e Bukura në Tiranë, Shqipëri. Nora është e përfshirë në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës si piktura, shkrim të poezisë dhe forma të tjera të shprehjes artistike. Ajo filloi të shkruante poezi dhe të pikturoj që kur ishte adoleshente.
Ajo ishte pjesë e tre kolonive të artit në Mitrovicë me pikturë. Në vitin 2010 ajo kishte një natë poetike të saj në Tetris (hapësirë manipuluese) në Prishtinë, si dhe ishte pjesë e Polip Fest Prishtina (Festival ndërkombëtar i letërsisë) Në shkurt të 2020 Nora lexon poezitë e saj në Natë Poetike në Fondacionin 17 në Prishtinë. Poezitë e Norës u botuan në revistën kulturore “MM”, revistën e letrare “Fjalë e valë”-tri edicione si dhe “Polip – Ky vend eshte tash kopshti yne zoologjik”. Nora tash e 7 vite punon në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës, si kuratore në Sektorin e Etnologjisë, njëkohësisht është themeluese dhe udhëheqëse e Fondacionit Dhemetra.

Birit dhe të birit të tij

Bir, mos u mjafto me identifikime përcaktuese sipërfaqësore
as me një anë të tregimit, asnjëherë!
As me ideologji të përcjellura me eho fjalësh gojë pas goje
as me dogma të pareflektuara në kohë, sfida e përjetime të tua
merre shtruar vetën, kohën tënde, hapin tënd, rritën tënde

Bir, theji përkufizimet sipërfaqësore lokale
e gjithsesi edhe ato kombëtare
shpalli luftë atyre gjinore
ska më burrëri se sa të pastrosh rrobat e fëmijëve të tu
e të përgatitësh shujta me dashuri për të dashurit e tu
jepi fjalën zonjës tënde
e mësoje mos ti dridhet kurrë zëri vajzës

Bir, ska asgjë nga trendet
as të rrobava, as të zhanreve muzikore
as të njerëzve që kanë famë në shkollë të mesme
as prej atyre fytyrave publike mediokër
Mos e beso se je qendra e kësaj bote
mos e beso se gjithçka fillon me ty, e gjithçka mbaron me ty
është mësim i rëndë për një moshë të caktuar
por kur do ta kuptosh, do të shlirohesh
Duhesh fanatikisht me besu rrjedhën
hallkën tënde të zingjirit
rrathët e përkryer
momentin e duhur
se shenjtëria e gjurmës tënde është vetëm aty

Ndonjëherë leje vetën ta shijojë ndonjë limonade hollivudiane
të gjithë bijmë pre e botës fiktive
ku për dy orë çdogjë ka përfundim të lumtur
djali e fiton vajzën
e të dy puthen nën riga të shiut
ose në perendim të artë të diellit
por jo në jetë reale
përfundimin e lumtur duhesh ta kërkosh prore
e të punosh për të çdo ditë
duke e ditur se jeta ka vetëm momente
që duhesh t’i koleksionosh si gurë të çmuar

Ska asgjë të keqe nëse ke nevojë për glukozë mendore
llafe të futura kot
të qeshura të ekzagjëruara
valls në mes rruge me personin e duhur
Mos bjerë pre e syve të tjerë
Ti shih vetëm me të tutë
e me ata që duan të shohin atë që sheh ti
Mos i duaj asnjeherë kopetë
mendimet që gëlltiten të papërtypura
njerëzit që menjëherë binden
njerëzit që ndrrojnë qasje kur e kanë mundësinë

Frikësohu nga ata njerëz pa hije, e prej hijeve krejt pa njerëz
Mos u beso atyre që nuk kanë asnjë llojë gjahu përbrenda
ata që nuk i grryen asgjë
as një copëz melodie, fjalë e shkruar prej gjaku
apo copëz ndjenje shfaqur me ngjyra
mos ecë me ata që ecin përherë në rrafsh me taka dystabanësh

Besoju të gjitha formave të zjarrit
shkëndijave në sy kur dikush do të dijë atë çfarë ti ke
atë çfarë ti je
atë çfarë ti do të jesh
besoju shkëndijave të tua
dije se aty ku s’ka dritë, s’ka jetë
e vdekja e frymueshme vazhdimisht kundërmon epidemi
në fytyrat e qenjeve të dashuruara në imazhin vetanak të viktimës
mos u mundo të shërosh ata që s’duan kurë
aty e ke betejën e humbur, e pacient mund të bëhesh vet

Mos lufto çdo betejë përditë
zgjedhi betejat, më kanë thënë edhe mua
atë ta them edhe unë ty
në kohë me diell betejat përndriten
në errësirë hijet kanë më tepër pushtet
në errësirë ti mësohesh të rezistosh
në errësirë ti lindë prapë

Mos rri në të njejtin vend gjatë
e mos u mjafto me të njejtat qëndrime
me të njejtën shoqëri
me interesa të njejta
Ndrysho!
rritu me erën, me stinët
me librat që do i lexosh
me frymat që ke me i thithë nga pikpamje të qenijeve të ndryshme
Krijo kufijtë e tu, shenjtëroji kufijtë e tu
që ke me i gdhendë me kohë, me ndodhi e me djegësima
dije që je vetëm
Vetëm ti
Gjithherë besoje rrugën, e atë që do të jesh
E mos harro ta duash vetën!

Ode Mocanikëve

Na s’jemi gjeneratë që u mbështollë me shami t’kuqe
as s’jemi gjeneratë e internetit
s’përjetum as kinematë, ballot, matinetë, shtafetat, kitonet 
e as sletin në hapësira t’qytetit.

Na jemi gjeneratë e pafat
që kurrë n’dyqane s’blemë pllaka muzikore, 
as si arritëm bendet rokn’rroll, as modën avangarde nëpër qytet.
Na u msum mi pa prindërit e papunë
tu u gjind nëpër dyqane t’vocrra, 
tu u marrë me naj shverc në t’zezë, 
me naj vajtje-ardhje në Bullgari a Turqi.

Na jemi gjeneratë e pafat
Kurrë se patëm mundësinë me hyp n’tren
e me shku me ble naj xhemper n’Itali, 
shumica s’pamë ma larg se nja katër shtete fqinje.
As gjeneratë e grunge-it, 
as e jakneve t’lëkurës e këmishave me kutija.
Biles as ato lokale me njerëz e muzikë interesante 
s’na ra me i pa as me i ndi kurrë
as me i ikë racive t’vazhdueshme t’milicisë.

Na jemi gjeneratë e pafat
ishim fëmijë gjatë luftës 
jo krejt t’vegjël sa mos me mbajtë n’mend, 
po qaq t’rritur sa me kujtu krejt…
tu u rritë në një qytet t’ndamë,
me plot protesta, dhunë e uniforma t’ushtrive t’ndryshme, 
tu e pa qiellin plot me helikopterë, 
e urën plot me flamuj, barrikada e gazetarë.

Na jemi gjeneratë e pafat.
Me neve fillun me u ri-shfrytëzu shkollat 
e orët e mësimit i patëm ka 20 minuta,
e bile edhe kompjuterin e internetin i mësum veç n’libra.

Na jemi gjeneratë e pafat.
Pjesë e një gjysmë vendi, tu u zhbo dita ditës, 
Tu ju tretë nami, e tu i hup trajta.
Na, pak e hiç e shijum veriun, po se shijum as jugun.
Na mbetëm në hijen e atëherëshit tu e lyp qytetin,
tu pritë me nisë diçka.
gjithë, tu pritë…

Na jemi gjeneratë, e konsiderume me fat,
e vaktit të lirisë.
Me neve u rimarun shpijat, mahallat, sheshet 
ku u vnun bustat e heronjëve të rinjë.
Tu u mundu me ngjitë grimcat e katrahurës
që na u dha peshqesh
e me mbjellë diçka pa rranjë, 
me shpresë se diçka e mirë ka me u mbi!

Amë

Unë jam amë.
Jam amë e mendimeve të mija.
Jam amë e ndjenjave të mija.
Jam amë e paramendimeve të mija fiktive.
Jam amë e fëmijëve të mi.
Në raste jam amë e nanës simë që u rrit jetime,
në raste jam amë e mikës sime të ngushtë,
në raste jam amë edhe e burrit tim.

Jam amë iniciatore.
Jam amë që mban me fanatizëm gjithë ankesat komerciale të vjellura për qytetin tim. 
Jam ama e vrimave të të gjithave shtizave që të tjerët ngulën në mua.
Jam amë e shkëndijave,
e jo-ve të domosdoeshme,
e po-ve të shpejta e të rrepta. 
Jam ama e të gjithë atyre që vijnë vërdallë për të më treguar diçka
për të më ”mësuar” 
rreth bindjeve të mija,
diçka për zërin tim, për qëndrimin tim fizik
për amësin time,
jetën time,
rrogën time, 
gjendjen momentale të vendin tim,
dhe e broçkullave tjera që treten si balonat e shkumës në ajër.

Jam amë. 
E lindur bilogjikisht për tu riprodhua.
E mësuar të jem në gatishmëri. 
Qoftë për vnerin, qoftë për dritën
qoftë edhe veç zhurmën.
Me masa të gatshme e të domosdoshme edhe për pastrimin e jashtëqitjeve. 

Imëtsira

I dua momentet e avullta,
andrrat e mjegullta, nganjëherë…
Mendimet që s’janë tërësisht të definuara
dëshirat që mbesin kryesisht pezull
ndjenjat që s’i kuptoj, ndonjëherë…

I dua muzgët me mjegull
realitetin e vagët
silljet e gjata me këmbë nën tokë
botën në lëvizje
rrotullimet në rreth me kerr
parkun me lodra
balerinën me fustanin, qëndrimin, e buzqeshjen stoike
adrenalinën nga rrotullimi e nga frika e vjetërsisë së saj.

I dua çastet e jetës nën ujë
magjinë e shkurtër të jetës pa thithë ajër
përqafimet e shtrënguara fort
ndjenjën kur dritat shndërrohen në vizllima
momentet kur jam n’gjah me kuptua
kur rrallë herë gjithçka bëhet e bukur
atëherë kur gjithçka merr shije
e kur qenja ime tokësore bie poshtë nga deliri i rrallë
i dehjes prej dashurisë ndaj jetës.

Yllëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: