Neviana Shehi
Autorja,Neviana Shehi u lind ne Durres. U shkollua në vendlindje dhe në Gjermani. Prej 25 vitesh jeton ne Arezzo te Italisë.
Çame jam
Çame jam, motra e Afërditës.
Një copë Diell ma dhuroi Zeusi
Agimit kur i buzëqesha te burimi.
Jam çame… nga lot’ i largët vij
Atje në More janë rrënjët e mia.
Kam bukuri Çamërie, ta dini
Me det e mal, fushë e lëndinë
Me aromë portokalli, trëndelinë.
Emrin tim e gjeni kudo brigjeve
Deri atje, në Egjiptin e lashtë.
E dëgjuat… jam Bubulina
Unë vij nga Plaka dhe Ljosha,
Eci botës si çame, gatuaj, kërcej,
Këndoj si çame.
Dhe vajza ime më thotë,
O nënë, edhe unë jam çame.
E shtrenjta e nënës, çamja ime e bukur si lule
Edhe ty, ashtu do të thonë fëmijët e tu
Dhe fëmijët e fëmijëve tu…
Grua
Ti pret të qarën e parë,
Lotin e shpresës
Mes dhimbjesh
Në kufi me vdekjen.
Shëmbëlltyrë perëndie je
Premtim dashurie.
Ti vështron qiellshem
Dhe sytë e tu
Të çojnë në ëndërr
Atje ku fillon parajsa.
Je flladi mëngjesit në pyll
Cicërima e dehur në degë
Aroma e lules në lëndinë
Pika e vesës në fije të barit.
Je drita e Hënës në muzg
Buzëqeshja në natën terr
Përqafimi je…
Që heq vetminë.
Je dallgë e detit të dashurisë
Je lumë i gjerë i mirësisë.
E bukura e dheut ti…
Grua…
Qyteti im mbjell drita në det
Në vendin tim… atje përtej
(tek ato drita mbjellë në det)
qyteti im mbjell drita në det-
kanë ngelur lëndinat e trishta
rrethuar me dimra gri.
Malet kane heshtur.
Deti mban në gji brengat tona
netët me Hënë… me shpresa
në trastë krahut.
Ku vamë o Zot ?
Ku jemi ?
Nga erdhëm ?
Deti kërkon shpirtin tonë… të valëzojë
malet duan mallin e largët… të gjëmojnë
lëndinat nuk lulëzojnë pa buzëqeshje
pa vashat e djemtë
që përtej bregut vështrojnë
dheun tonë si vjeshtë.
Janë me kokën prapa
e di…!
A ke emër ti
Këmbehen frymët këtë natë
Me puthje flasin buzët
Në heshtje sytë flasin gjatë
Yjet si zjarr ndezin udhët.
Ëndrra na bashkon buzë lumit
Ku bora ka nis e shkrin ngadalë
Mbyllur shtigjet në qerpik të gjumit
Nuk di ku të shkoj…nuk di ku të dalë.
Një erë mëngjesi fryn e më zgjon
Vështrimi si lot shkon përmbi mal
Ç’je ti o magji që vjen sa agon
A ke emër ti…apo quhesh mall ?!
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt