Alketa Spahiu

Alketë Spahiu u lind më 13 Gusht 1989 në Prishtinë. Ka filluar të shkruaj që nga vitet e para të shkollës fillore dhe poezitë e saj u botuan në revista të ndryshme kulturore e letrare. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Gjilan ndërsa fakultetin dhe magjistraturen në lëminë e komunikimit kulturor dhe diplomacisë multilaterale e sigurisë kolektive në Universitetin e Perugias në Itali.
Është fituese e shume cmimeve lerare, përfshirë edhe Çmimin për Debutanten më të mirë në Takimet e Poeteshave Shqiptare 2005 dhe çmimin e tretë të konkursit “Poezi per Paqe” organizuar nga portali kulturor “Kult Plus”.
Aktualisht, është e angazhuar si eksperte ligjore në një program të për ngritjen e kapaciteteve të agjencive të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, financuar nga Komisioni Europian e zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme Italiane. Përvojat paraprake përfshijnë konsulencë ligjore dhe menaxheriale në parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave si pjesë e UNDP në Kosovë ( Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara), nxitjen dhe avancimin e dialogut ndërfetar dhe ndëretnik, ndërtimin e paqes, promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Përpos fjalës së shkruar, pasion ka vallëzimin dhe muzikën klasike.
Është pjesëmarrëse e rregullt e orës së madhe letrare të Flakës së Janarit dhe ngjarjeve tjera kulturore të nivelit lokal dhe mbarëkombëtar.
Deri më tani ka botuar katër vepra letrare: “Kur buzëqesh hëna ” (poezi për fëmijë), Ylberi, 2003; “Nën cytjet e tërbimit” (roman), Spektri, 2005; “Syri qan për syrin” (poezi), Rozafa 2007 si dhe “Muza jam unë” (poezi), Rozafa, 2013.
Jeton mes Kosovës dhe Italisë.

Kur dritat ndizen në Prishtinë

Kur dritat ndizen në Prishtinë
në mua dritësojnë uratat e mallit
o zot,
rrite inflacionin e ndjenjave të grave me fshesë,
ndale hovin e produkteve “made in China”
flaka të mos qëndroj stoike ndaj lajkave të Eratës.

Kur dritat ndizen në Prishtinë,
dhe bora shtresohet si mielli i të vobektëve,
vetëm fëmijët mbajnë syze me ngyrë hareje,
por unë fëmijë më nuk jam,
dritat dhe bora
krijojnë një Esperanto ngjyrë gri
fshehin mykun e bagazheve
në kartolinat e padërguara.

Si u harruam, o zoti im,
mes heshtjeve mondane kërkova përdëllimin,
me qirinjë elektrikë high-tech bëra lutjet e mia,
në çdo ndërrim të motmoteve kërkova falje
për dëshirat e vonuara
dhe me vetminë piva një teke raki.

Kur dritat ndizen në Prishtinë,
vizitoj tregjet e Krishtlindjeve në imagjinatën time
seria e syzeve me ngjyrë hareje
është shitur mes stinëve,
e kthej një teke raki
me vetminë time.

Ederlezi

Është natë me hënë, shkelqësia jua,
këmbët e zbathura puthiten në kalldrëmin e pritjes,
yjet dalin nga qilarët e vetmisë,
sa më shijon çelësi sol i tamburinit,
ederlezi
të gjithë miladyt kanë një milord në festën e Shën Gjergjit.
Fitoje kampionatin e hedhjes me shtizë të pengut
vallëzo me muzikë rome derisa kilometrat të zbuten
sfido navigatorin me bukurinë e imagjinatës
këndo derisa faqet të gravohen me gjilpërat e dërvishëve
me ujin e bekuar nga perënditë ngre dolli,
ederlezi,
të gjithë kanë një pjatë dashuri në sofrën e Shën Gjergjit.
Ederlezi ndez prushin e çdo zemre,
sjell në tavolinë qengjin tek çdo familje
vetëm ne nuk kemi qengj në tavolinë,
sepse jemi të varfër,
milady pret milordin nga limani i Danubit
të sjellë një pjatë dashuri nga thesaret e kolonive
vetëm ne nuk e kemi luksin rutinor
të racionit të erëzave të dizajnuara nga Venusi,
sepse jemi aq larg,
ne jemi të varfër
edhe në ditën e Shën Gjergjit.

Izolimi ka një emër

Të ndoqa, hije e dhembjes së praruar
në ecejaket e indiferencës
në rrugët që na ndanë
e ato që na ribashkuan,
me linjitin e profumosur
më turbullove shikimin.

Mjegulla e bardhë
ekspozoi pajën e dështuar
në duetin tonë harmonik,
përcolla shkëlqimin tënd,
zvenitjen,
nuk kërkova pjesë në trashëgminë e fisme.

Të kam ndjekur netëve të pagjumë
Andrrallave të fundvitit,
në shfrimet e metropolit
më akuzuan për stalking
sherifët e padekretuar
dënimin po e vuaj
në qelinë e stagnimit
izolimi im ka një emër.

Kontuzioni i zemrës

Rumba vallëzoj me ty
çdo rrëshqitje, një psherëtimë,
ashtu siç këmbët puthiten pas tokës
nuancat e kristalta vizatojnë diagramin e ndjenjës,
quick, quick, slow…
a plotësohet mungesa e atij që do
me vallëzime shoqërore të Fidel Castros?!

Hapat u përhumbën,
sikur pasiguritë e tua në panoramën lineare,
salla e vallëzimit merr pak nga njejtësia jote,
slow quick quick,
a mund të vallëzohet rumba teke si tequila?!

Në rrotullimet marramendëse
shënoj natën e vajzërisë
para se të bëj dasmën me hijen e katakombës veneciane,
përcjellëset e nuses na presin
në Urën e Psherëtimave,
le te sjellin ca birra Corona,
mundësisht me kripë, shume kripë Deti të Zi,
do t’i shtoj ca qepë
të shëroj kontuzionin e zemrës

Yllëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: