Alisa Velaj
Alisa Velaj (nëntor 1982) është poete dhe studiuese e letërsisë. Velaj është autore e tri përmbledhjeve me poezi: “Përanash Flakës”, “Tej kthellës së epërme” dhe “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”. Mban titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”.
Pashë një shpend
Pashë një shpend krenar si një shqiponjë.
I zi nga shtati, me bishtin ngjyrë zjarri.
Si lule zjarri i përshkënditej bishti në fluturim.
Përshkonte tej e ndanë një qiell të kaltër.
E kaltër e gëzuar si deti i fëmijërisë.
Me ca re të bardha borë,
si qumësht i ngrohtë, i posamjelë.
Ish kohë e kthjellët kur m’u shfaq ai shpend.
Vazoja e purpurt e agut m’u thërrmua në dhjetra tinguj
që m’u desh t’i mbledh rrëmujshëm
nëpër kraharorin tënd.
Ti heshte, siç hesht përherë në prag shëmbjesh.
Heshta dhe unë e hutuar pas shfaqjes
dhe prita (nuk mbaj mend se sa),
në ç’fluturime do të më shpinte
simfonia e hapërdarë!
Asgjë e lexueshme i kthjellti im
Mbështjellë zogjtë me qiell e mall në pupla
rrahin krahët mespërmes dritës së bardhë.
E ne presim pak dritë të pikoje mbi qeniet tona.
Pak dritë të lëbyrtë prej krahut të një fluturaku.
Befas zogu ynë nuk duket kurrkund.
Kurrkund nuk duken më as të tjerë zogj!
Të jenë mbulluar vallë flatrat nga ndonjë re drite,
e largët, e paarritshme prej syve tanë njerëzorë?
Veç qiell i mbushur cik më cik me copëra resh të bardha,
si mjegulla boreale që fshehin sa mistere përndritjesh,
mbi kokat tona të përgjumura nga hutimi…
Veç qiell me re në trajta shpendësh
e asgjë tjetër e lexueshme, i kthjellti im!
Lakuriqë nate
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt