Gentiana H. Muhaxhiri
Gentiana H. Muhaxhiri u lind në Gjakovë më 1984. Është autore e dy vëllimeve poetike Ëndërrime dhe Heshtje e trazuar. Poezitë e saj janë botuar në disa antologji kombëtare e ndërkombëtare. Është pjesëmarrëse e shumë festivaleve poetike ku u nderua me çmime e mirënjohje. Nga viti 2014-2019 ka drejtuar klubin letrar “Gjion Nikollë Kazazi”në Gjakovë, ka qenë gjithashtu edhe anëtarë e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës dhe Anëtare e Këshillit Drejtues në shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë. Përveç aktiviteteve poetike merret edhe me studime letrare, fushë në të cilën ka botuar një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore. Është Anëtare e Bordit Këshillëdhënës dhe Shkencor në Platformën shkencore ndërkombëtare EUSER. Nga viti 2009 deri më 2015 ka qenë bashkëpunëtore e jashtme në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nga viti 2014 është mësimdhënëse e rregullt në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.
Është recensente, redaktore e disa vëllimeve poetike dhe librave shkollorë.
Monotoni
Mëngjeset sërish thyhen
Në monotoni
Nga harresa në harresë
Herë ikim, herë vijmë
Përtej ditës së re
Ka një tjetër ditë
Ditë që sjellë errësirën
E natë që diellin lind.
Me ty
Më lejo të jem erë
Dallgë e shkumëzuar netëve me hëne
Më mëso të ec e qeshur pranë teje
Kur alarmet e tërmeteve të kenë rënë
Mos harro të ma mësosh heshtjen
Kur fjalët të më vijnë ëmbël rreth vetes
Më mëso si të rri pranë teje
Kur vitet t’i kenë ikur shumë larg jetës.
Zhgënjim
Zhgënjehem rrugëve tua
Qyteti im
Ëndrrat copëzash më thyhen
Se të marrët marrin merita
Qyteti im
E ti, vazhdo e rrit përbindësha.
Qetësia ime
Mes rrugësh të krisura
Që s’çajnë kokën për ne
Mes qiejsh që zemërimin
Hedhin me rrufe
Të gjeta ty
Qetësi e grisur e shpirtit tim.
vlora konushevci View All →
Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt