Manjola Brahaj (Halili)

Ka lindur në Tropojë më 1986. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, për Gjuhë shqipe dhe Letërsi.
Ka përfunduar masterin shkencor në drejtimin “Teori dhe kritikë letrare dhe ka doktoruar po në atë Fakultet. Ka botuar krijimet e saj në poezi në revistën letrare të Prishtinës “Jeta e Re”, në “Mher Licht”, “Obelisk”, “Nacional”, “Poeteka”, “Illz” në Tiranë dhe “Urat” në Tropojë. Në revistën “Kuvendi” në Miçigam, në “Orizzonti” në Itali, “Bitacora” në Meksikë dhe në “Orte Schëeizer Literaturzeitschrift” në Zvicër, në antologjinë “Las femmes (se) racontent experiences dans les PECO” në Rumani dhe në Heamus plus Nr.1, 2017, gjithashtu në Rumani.
Është autore e librit me poezi “Vajtimi i Kalipsosë”, me të cilin ka fituar çmimin kombëtar “Migjeni” në konkursin për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2010.

Në dhjetor 2012 vlerësohet me çmimin e parë në konkursin mbarëshqipëtar organizuar nga “Klubi Zahiri” me poezinë “Anima”, si poezia më e mirë e publikuar në internet. Po në vitin 2012 vlerësohet më çmimin “Rrahman Dedaj” oraganizuar nga shoqata Prokult në Podujevë, me poezinë “Largsitë”.  Në 2013 boton një cikël me poezi në “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”, realizuar nga Klubi letrar “Gjon Kazazi” dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve, Tropojë. Në qershor 2014 ka botuar librin e saj të dytë me poezi “Na nuk jena t’ktuhit”. Në korrik 2015 është vlerësuar në konkursin “Tra un fiore colto e l’altro donato” dhe botuar në revistën “Orizzonti” me poezinë “Metamorpohosis”.
Është fituese e çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Itali “Terre lontane”.

Në 2015 ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” në Tetovë, ku dhe ka botuar një cikël me poezi në antologjinë me titull “ Zërat e ujit”. Në 2015 boton një cikël me poezi të zgjedhura në antologjinë e poezisë së të rinjëve “A dangerous method” nga shtëpia botuese, Albas, Tiranë.
Në 2016 është vlerësuar nga aktiviteti “Ora e poezisë” me çmimin vëllimi poetik më i mirë, i cili i është akorduar vëllimit “Na nuk jena t’ktuhit”
Në 2018 boton vëllimin e saj të tretë me poezi me titull “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”
Në vitin 2018 fiton çmimin e parë si autore debutuse në “Mitingun e poezisë” në Gjakovë. Në vitin 2019 fiton çmimin e parë në Maqedoni si autore e huaj në konkursin ndërkombëtar të quajtur “ Shkëndijat letrare”

Jam femën

Bijë e Zotit dhe gjanave që dita,
shtrigë pushtuese e ditëve tua.
Jam Lilita.

E etun për me pa e me ditë
pse ngat teje erdha.
Jam Eva

E mallkueme për me qenë e bukur,
e kët’ bukuri vet mos me e shiju.
Jam Helena,
për t’cilën ke luftu.

T’mallkoj farën e veten e vras,
veç për me qenë puthja te buza.
Shkatërroj andrrën tande se jam Medea.
T’ngrij e t’baj kallkan se jam Meduza.

I jap kuptim pritjes,
kaloj përjetësinë.
Jam Penelopa,
i vetmi vorr ku ti ke shpinë.

Çohem pasi jam ba statujë kripe,
di me ecë për tehut t’dhimbjes.
Jam femen i jepem veç vetëtimës.

Krejt zjarmitë e rruzullit i ndez,
e di me vdekë veç për nji shikim.
Jam ajo që ke me dashtë me dëshpërim.
Shpirt e kurm mbulue me andrra
e Vërteta e jetës tande.
Jam Kasandra.

Jam femën,
për mu u përulen edhe perënditë.
Jam ajo që ka me t’dashtë
e kurrë s’ka me t’përkitë.

Jam krijesë e pambërrime duersh t’akullta.
Kam krejt ernat e parajsta n’gojë.
Kam krejt tundimet toksore n’kurm,
m’ke nji natë t’jetës tande t’shkurtë
e m’sheh me drojë,
për me m’lypë mendej me ngulm.
Jam sirenë e fundit t’gjakut.
Prej synit kam me t’ikë
e n’fat me t’u ngulë,
me t’ardhë hakut.

Jam femën.
N’ditën tande jam drita,
n’shpina tande jam zjermi,
n’shtratin e shpirtin tand dashnia,
n’natën tande vetmia,
n’trishtimin tand arsyeja,
n’luftën tande kauza,
n’artin tand muza,
n’stinën tande jam ngjyra,
n’ty e n’krejt jetën tande,
Pasqyra.

Largsitë

I ftoftë e pa trajtë
ai që duem ne,
aq ikshëm ndërron udhët,
veç për me ardhë nji ditë.
Prekja s’ka erë,
mbetet nji ankth i mbyllun n’vete;
çmendë për veten,
dashtë vetveten,
mbytë për veten;
pa hak, as cak,
pa dritë, as britë,
pa ujë, as kujë.
Prekja nuk asht ma e kërrkuj’

I largët asht nji shi që na njom eshtnat.
I largët asht nji diell që na djeg shpirtanat.
E largët asht nji tokë që e kemi n’mish.
Sa fryma me frymën
n’thithje.
Sa zani me zanin
n’thirrje.
Sa ngjyra me ngjyrën
n’shkrimje.
Sa unë n’ty
me gjithë zjermin e marrëzisë.
Sa ti n’mue
më gjithë ankthin e dashnisë.
Sa t’dy bashkë
me gjithë peshën e kohënave pa njeni – tjetrin.
Sa zgjatja e tejme e horizonteve,
që përmbysen n’sytë tanë
për me mbetë t’huej.

Anima

As bardh, as zi nata që e ngulfatun shtrihet mes nesh
As ujë, as dhé toka ku ne ecim shpindë për shpindë
Veç nji puthje e vjedhun me krejt botën bjen ndesh
e trupat tanë tash veç vetun me ndejtë dinë.

As poshtë, as nalt nuk dihet ku jem’ në ç’kohë
Në ç’qiej shkojnë lutjet e ankthit tonë t’egër
Pa dashtë e pa ditë si kurrë mos me u pasë njohë
Shkruejmë fatin tonë letrash me sy t’verbër

Mbledhim erën me duer të mpime dimnash t’shkyem
Pijmë kaltrinë e qiellnave t’pambërrimë
Kujtojmë dikur nji frut me t’cilin parajsën e fyem
dhe e duem dhénë bashkë me pemët që na mbijnë

As zjerm, as ngricë skuta ku bujtin shpirtnat
Veç Frymë e Dritë ajri që pijnë sytë
Kthejmë ku kem’ qenë e i duem t’ikunat
Qiellnash t’pakapshëm njisoj si Perënditë

Provojmë gjakun n’ashtin e dheut
E ndiejmë kangën që rana këndon për ne
Puthemi buzë më buzë jetojmë tehut
Pa u rrxue, gjymtyrësh tue u pre

I jepemi ujit me dashni bishash
Me kryeneçësi prej burgut s’domë me dalë
Krejt e tashmja na rrëshet gishtash
Pa mujtë me folë as me falë

Me nji kujtesë kohësh t’shkapetun copë
Biem kryekëput si me qenë termekë
Në kupa religjionesh t’rrëzueme për tokë
Pa ditë ku jem’ t’gjallë as ku kem’ me vdekë

Na nuk jena t’ktuhit

Por, se të qënët këtu është shumë, dhe siç duket
e këtushmja gjithë na e ka nevojën, kjo e bjerrshmja
që habitshëm na mban. Ne, më të bjerrshmëve.

R. M.Rilke (Elegjia e nëntë)

Ka kohë që e kam kuptue se nuk jena t’ktuhit,
ndoshta pa dalë ende n’dritë
me sy t’mbyllun prej udhësh që e kanë msue
ma së mirit artin e t’ndenjunit në nji vend,
edhe ma mirë atë t’qenit i shkelun.

Po bota nuk e ka nji vend dhe për ne
Nuk jem’ t’ktuhit.
Jem’ sytë e nji universi t’largtë
që era i pruni këtu padashtë.
Jem’ hije për vështrimet vdektare,
nuk kem’ t’shkume as t’ardhme
në nji dhé t’pangjyrë, në nji shpi pa dritare.

Udhësh të tjera shohim shfaqjen tonë t’dashtun
aktorët n’skenë,
monologje andrrash t’bardha, ditësh e stinësh,
t’prekuna veçse n’ajër;
pa buzqeshje t’ngjitun pas lëkurës si ma i madhi art,
pa maska.
Ka kohë që due me shkue atje, diku, veç jo këtu.
Veç jo pranë duersh që duen me prekë e me ikë,
ku shtrihen trupa t’plasmastë
e madhohen n’zbemjen e tyne.

E fundja ç’ka na duhet ktuhja?
Kur me pi nuk mundemi shpirtin e njani – tjetrit,
kur zgjedhim me qenë larg,
kur zgjedhim mos me u pa,
kur zgjedhim mos me u bashkue kurrë,
veçse në nji skenë ku rolet caktohen prej jashtë
pa u njoftë shkulmi as vala e brendshme,
se vetëm e jashtmja vlen për t’dukshmit.

Ti nuk ke si me i përkitë prekjes,
kur je hije.
Kush i don hijet i dashtun?
Edhe ti e ke kuptue që nuk ke pse duron
shkumën e dritës së zezë që t’shpërhapet trupi;
tue dashtë me t’marrë shpirtin,
tue dashtë me t’ndrrue andrrën,
tue dashtë me t’fshi ekzistencën tande t’veçueme.

Na jem’ dy kufijtë e fundmë
që sagën e rrugës tonë nuk e sosim,
as valsin e fjalëve lëshue për flokësh t’ajrit,
as tangon e puthitjes së trupave tanë.
Na nuk dimë me u ngi e as me hangër jo,
pos nji kangë gjaku që bie mbi lulet e pjeshkave.
Nuk dimë me kendue ma
dhe aty na meket zani,
aty tërhiqen vetëm kordat deri n’këputje,
pa u këputë asnjiherë!
E krejt qiellin e shtrimë, me sinqeritetin e tij t’pamatë,
e kalojmë mes fjongosh t’bardha;
si lëkura ime e shkyeme,
si ajo e jotja e zhubrosun,
dyerve t’Edenit me shiun dinak që na shpërlau.

Ndoshta kuptimi t’çon n’veprim
dhe duert e mia t’shtrime rrinë që kur panë dritën tande.
Asht mirë me qenë në t’ikun.
Ti e di, na nuk jena t’ktuhit.
E shijojmë kaq fort t’qenunit t’pezullt.

Bulëzat

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: