Dije Lohaj

Dije Lohaj lindi në Shkup në vitin 1965, aty përfundoi vetëm dy klasë të fillores, pasi familja e saj u shpërngul në Ferizaj. Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm në Ferizaj, në vitin 1983, si aktiviste e çështjes kombëtare pushteti serb e dënoi me 3 vite heqje lirie, kur ishte vetëm 18 vjeç. Pasi mbaroi burgun, u regjistrua në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj. Për dy provime, komitetlinjtë e atëhershëm ia mohuan të drejtën për studime, duke e konsideruar “të papërshtatshme politikisht”.  

 Në vitet e nëntëdhjeta regjistroi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Pas një procesi gjyqësor në Ferizaj, më 1997, policia serbe lëshoi flet arrest me akuzën “ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Atë vit, gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me dy vite e gjysmë burg në mungesë, prandaj Dija ishte e detyruar të jetoi ilegalisht në Prishtinë derisa u arratis në Tiranë deri në çlirimin e vendit.

Në vitin 1999, pas çlirimit të Kosovës, Dija u kthye në Kosovë, ku i përfundoi edhe studimet. Tani punon si profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj.

Ka botuar librat poetikë “Ëndrrat për atdheun”, (2009), “Cunamët ua solla unë” (2013), dhe “Gjëma e paqes” (2015). “Ora e prishur e dheut” është libri i katërt poetik i cilin do të botohet së shpejti.

Shpupurit hirin e dheut

Unë jam e gjallë nën themelet e tua,
Dheu im kokëkrisur!

Me mijëra vite qesh e qaj
Nga ky mauzole që ma dhe dhuratë
Në festën e murimit tim.

Qesh e qaj,
Gjysmë e mbërthyer për shtratin e gurtë,
Gjysma tjetër numëron yjet,
E vitet numërohen ndryshe,
Mbrapsht numërohen,
E kupton?
Mbrapsht!

Të gjallët nuk ma dëgjojnë
As vajin, as këngën,
Tek dridhem bashkë me themelet e tua.

Duke bredhur muzave gri,
E gjeta në të lotin tim të zi,
E jehonë e djepit thërret.

Më lehtë është të jesh e vdekur
Sesa e murosur.

Një dritë imja i mori në gji,
Të gjitha flakët e rëna të yjeve të tu
Dhe kërkoj më kot vetveten,
Pirgjeve të thelluara të një morti.

Në dasmën time nuk erdhi Konstandini,
Besë kishte dhënë,
Për ta shpupuritur hirin e dheut,
Ja një copë po i mungon andej,
Një copë këtej,
Mes dhimbjesh jeton në terrin e përjetshëm,
Ja gjëmat e martirëve
Në borën e heshtur, të ftohtë.
Po vijnë,
Si zemra ime e akullt janë,
Po vijnë
Mbi qerpikë pika qumështi po u ngrijnë.

Poemë e zezë për plëngprishësit e lirisë

Unë vdekjen nuk e njoh, tha heroi,
Se mijëvjeçarëve u mblodha flakët e marseve
E sythat e lirisë nëntorëve
I mblodha një nga një
Dhe i këndova këngët e tua,
Me pushkë e lahutë,
Dheu im i përflakur!

Stinëve që zgjuam qenien tonë,
Udhëtoja bashkë me vdekjen dhe lirinë,
Mes përmes hingëllimave të trokut të Moisive.

Dëshmorët kanë emrin atdhe,
Tek nata e kallur në Olimp
Po pikon gjakun e tyre,
Tek po digjen flakadanët,
Bashkë me borën e sivjetme,
Tek fjalime politikanësh u sillën vërdallë,
Si korba të zinj,
Po sillen e po çukitin
Mbi kurorën e betejave,
E kurorë e Ademit lëngon.

E trishtë ishte Nata e Zjarreve këtë vit, burra!
Më e trishtë se e Motit të Madh të flijimit,
Kuku nëna ime, ulërijnë dhe varret!

Pa shihni se si po e shpërbëni mitin tonë,
Ju plëngprishës,
Mitin tonë të flakadanëve,
Ku rri varur mbikoha ime,
Mbikoha e heronjve tanë,
E mbikohët po bubulojnë nën krrokamat tuaja,
Kur nishanin e dëshmorëve për armikun,
Ua keni kthyer atyre.
E dëshmorët klithin:
Ç’na duhen memorialët tuaja,
Kur ju po lidhni nyjë
Amanetet tona dhe kohën e lirisë.

Bac, nuk u kry!
Tani klith Kosova.

Flakë në flakën e janarëve

Të pashë me një plagë më shumë, Prishtinë!
Me një vaj të kuq tek laje vetveten,
Me lotin e murrmë tek më laje mua,
Me zhurmë e shumë flakë,
Me ethe e shumë zjarr,
Kryeqyteti im!

Në krye të një politike të zezë,
Në këmbët e tua të vrara nga dora ime,
U përgjake nga shiu i murrmë,
Tutje shesheve me emra Gjergji e Nënë Tereza,
E ç’kërkoje mes hipokrizisë,
Duke rendur mbi trëndafilat me gjemba?
A thua asnjëherë s’e kupton
Se çfarë humb e çfarë fiton?
Dhe ti lodron mes asgjësë dhe hijes sate,
Lodron mes hapësirës gri të hijes sime
Dhe nuk e di a jam unë e fyer,
Apo ti je e poshtëruar?

Po ç’kërkoje, bre, në fole gjarpri,
Stolisur me harqe ylberesh,
Ku çelin vezët e qyqes,
Ndërsa bota tallet me shtetin tënd,
Qepur me arna demokracie,
Kur edhe unë, edhe ti përgjojmë hijet tona,
Mes prushit e zjarrit,
Mes shtetit dhe djallit,
Tek me hirin tonë spërkatim
Lakuriqësinë tonë të varfër,
Ndërsa as prushi, as zjarri
Nuk na ngrohin dot
Në flakën e janarëve as sot.

Akuarel i zi

Si një gjethe e vetmuar
E trungut të lashtë,
Gjalluar kërkoj rrënjët nën hijen e tij,
E kush nuk e do dheun e atdheu,
T’i pushojë eshtrat,
Që shekujt i gërryen copë-copë?

E po kush nuk e do gjuhën e nënës,
Ku dora e butë të përkund
Dhe belbëzon ninanana,
Në butësinë e pështjellakut të linjtë,
Endur me lëkurë nëne,
Edhe pse muzgjet lëshonin jargë pushteti
E mordja na sillej mbi kokë,
Tek futnim në gji heroizmat tanë,
Harronim ëndrrat e çakërdisura
Dhe ktheheshim te guri i vatrës
Edhe pse vajet na verbonim,
I fshinim sytë me pëllëmbë të nënës,
Lotin që rridhte si ujëvarë, e pinim,
Për të ngjallur derën e fikur,
Për të ndezur oxhakun e shkretë.

Jo, nuk kishte as ulërimë, as tmerr,
Që të fshinte imazhin tënd,
Se ishte frutë e mendjes,
Që rrënjët i kishte thellë e më thellë,
Që çdo ditë me forcë përtëritej
Dhe krejt shpenguar riprodhonte qelizën tonë….
Të stërmunduar në orët e misterta,
Lebetitej errësira,
Nga pasqyra që zhdukej,
Gërryente edhe melaninë e murrme…

Muza

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: