Rozafa Shpuza

Rozafa Shpuza asht lindë në qytetin e Shkodërs, ku më 1856 Pjetër Marubi hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se asht e bekueme qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë dhe me balsamin e apostujve të poezisë gege.
Mbasi përfundon me rezultate të shkëlqyeme studimet e narta për Gjuhë- Letërsi, shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të parlamentit shqiptar.
Hobit ma të dashtuna të Rozafës janë poezia dhe fotografia. Lidhjet e saj me poezinë dhe fotografinë janë të hershme dhe mundena me pohue pa droje se kanë ardhë vjetë mbas vjetit tue u ba ma të ndijshme dhe intensive.
Rozafa boton sparit “Kohë ikonash” me proza poetike, që pasohet me “Anipse” dhe “Grizhlat” me poezi në gegnisht. Ndërkohë, asht gati për botim nji vëllim të ri poetik. E veçanta e krijimtarisë së Rozafës asht se poezitë kanë nji lidhje të pashmangshme me fotografitë që ajo shkrepë.
Së fundmi, ajo ka hapë në Shkodër nji galeri arti, që ka me kenë nji Odë mikpritëse për artistët kudo në botë.

Dordolecët

Me nji asimetri t’lavdërueshme
vuna dordolecë n’arën e dashnive të pamujtuna,
asi dordolecësh me krahë të hapun si përqafime imagjinare.
Për me dallue shpinat e lamtumirave
ju vizatova me qymyr dy kryqe në ball.
Mandej, ju vesha tesha stinesh t’pabinduna,
sa me hamendësue dallnyshet n’acar
e me i buzëqeshë luledillit n’mesnatë.
Çizme shinash vjeshtakë u mbatha si patkonj
e flokët ua lidha si jele kuajsh t’harlisun.

Qysh atëherë ara asht korrë parreshtun,
por dordolecët vazhdojnë me flirtue me sho-shoin
pa e ditë pse i ngujova n’atë arë t’pacake…

Qasje

Jam ajo valixhja e harrueme në transportierin e aeroportit
ku priten bileta lamtumirash.
Rrotullohem njitrajtshëm
pa dashtë me ia ditë për belbjen e buzve,
fragjisë prej premtimesh të nderuna
në atë fillin e bardhë ku përshkohet
fryma e avionit…
Pres nji dorë me m’tërhekë zvarrë
mbi dizenjot futuriste të dyshemeve
ku flirtojnë hapat ikacakë
e mandej me m’stivue diku maje raftit
në odën e gjumit me nji llampadar si pirsis në kërthizë.
Deri n’flutrimin tjetër
tejat kanë me këndue ninulla monotone
e gjamat e shinave kanë me pikturue kode surreale
në pullazin e ngjizun prej dashni tjegullash kuqalashe.

Jam ajo valixhja e mbushun dingas me ardhmëni
gati me fluturue pa axhenda fikse shtegtimesh…

Rrugtim

Rrugës përkah uni
ngarkoj në shpindë nji thes dëshirash
e mbathi këpucë me shoje pendesash.
Hapat i hedh shpejt, ndaj gjurmët zhbahen
pa m’lanë kohë me dyzue.
Pres agun ndër stacione
ku sirenat s’prajnë tue ju ra lamtumirave
e prej ngutit harroj me përshkue nynin në fillin e lutjeve,
sa herë përcjell nji shpirt përtej.
Sinorët e prostitutave kapërthehen me t’mijat
bash kur ninullat më përkundin ndër andrrat
që kurrë s’i pash. Krejt përhanshëm,
pij me miq kriklla kabahe dalldish
e joshem prej shkumimit t’epsheve
që derdhen mirëfilli nën tavolinë.
Ngutem me fiksue ndër retina frymë portretesh
me shpresë se buzëqeshja ka me u ruejt
pa pasë nevojë për korniza.

Njifar’ vendi ndalem…
s’du me e ditë sa kam hapëzue,
veç zbathi këpucët e vazhdoj rrugtimim
me shputa të njeshuna fort në teh baticash.

Kryeqytetit pa lum

Shpirti i këtij qyteti
asht acari i mëngjesit,
kur agu shtriqet përgjumshëm
mbi çarçafat e rrudhun të reve.
Shpirti i këtij qyteti
asht krrokama e korbit
kur pickon tehet e pullazeve,
si me dashtë me i shkundë prej andrrash
t’nderuna mbi tymtarët që s’dinë me u fikë.
Shpirti i këtij qyteti
lidhet ny në qafë t’Rugovës,
që prej ballinës së nji ngrehine
hapëzon përkah përndrit ardhmënia.

Herë-herë më duket se shpirti i këtij qyteti
asht vetë vransina,
apo sharmi i nji vajze që skuqjen e mollzave
e mshehë me krrela t’pabinduna.

Muza

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: