Dije Demiri Frangu

Prof.asoc.Dr. Dije (Qibrije ) Demiri-Frangu, ka lindur në fshatin Sazli. Në Ferizaj ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesmen, derisa studimet në të gjitha nivelet akademike në Universitetin e Prishtinës, tani Hasan Prishtina. Është profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, Hasan Prishtina
Krijimtari letrare: Buzëqeshja s’është larg, Rilindja, Prishtinë, 1981, Flurudhë, Rilindja, Prishtinë, 1985, Ta shoh botën si gotën, Rilindja, 1987, Gjithësia si qershia, Rilindja, Prishtinë, 1989, Këmbët e erës, Renesansa, Prishtinë, 1995, Prekja e vdekjes, Sfinga, Prishtinë, 2000, Nar det regnar over havet, “ADRS”, Malme, 2002, Shpirti i luleve, Rozafa, Prishtinë, 2007, Tallje e bukur, Rozafa, Prishtinë, 2009, Zemra që të bie tamam, Armagedoni, 2019, Letërsia për fëmijë (gjeneza, fenomene, autorë), 2009, 2011, 2017 (e ribotuar e e plotësuar tri herë). Përpiluese e antologjisë: Gonxhe për gonxhe, Rozafa, Ferizaj, 2002, themeluese e edicionit dhe revistës për gra Rozafa, Ferizaj(2000-2001).

Çdo udhë soset kur nisesh

Në telefon më pëshpërit se të dhëmb gjithkah
Se të ka ikur shpirti diku kah unë e assesi s’po e gjen
Se gishtërinjtë e vegjël të këmbëve netëve të bien poshtë shtratit
Bashkë me gishtin e unazës që këputet si lule e vyshkur
Se gjithë venat e trupit gjarpërinj rreth qafe të janë bërë
Duke më kërkuar shtratit si kokërr gruri
O sa tmerr më jep derisa më pëshpërit në telefon
Se prej ditës kur m‘i paske pas falë sytë
Je bërë si ai Homeri –tokë e zezë
Sa krejt botën e sheh top të pëlcitur
-fillo e fli në krahun e djathtë, të them
Dhe lexo para gjumit lirika të lehta
Gishtërinjtë vej aty ku ishin e ktheje kohën e dielltë
Dëndëne ahti na shurdhuan e hundëbrirët udhën kanë zënë
po nisu se çdo udhë soset kur nisesh
kur nisesh të vish tek unë, nisu
harlisi gurët e nëmat
ma shuaj atë zavall fushjan i urtë
t’i shkëpus gjarpërinjtë nga qafa unë
e duart t’i vë aty të pushojnë
duke t’i shikuar sytë si globi. 

Në funeralin e çdo dielli

Bërtas e thyej qiellin, e shpoj me zanoret e shpirtit
Copa të kaltra të zeza na bien buzëve
Derisa shtrëngohemi si dy të humbur
Shkunden yjet si copa ari të shkrirë bien
E na o sa të pasur bëhemi
Thyejmë gishtërinjtë në shtrëngim duarsh e lidhim
Sërish një nyje jete
Unë thyej qiellin për ty, e shpoj shosh e nis e bie mëshirë e bie
dashuri në formë pikash të mëdha sa arra
E zbrazi qiellin të tërin në shpirtin tim
Në shpirtin që ta jap pastaj ty
-sa do doja te jemi bashkë në funeralin e çdo dielli
Në mes reshë të fshihemi derëzeza mbyll sytë
E na luajmë lojën, hapi sytë –u fsheha.

Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë

Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë
Nuk isha as e re as e vjetër
E luftën mund e shihja në sy
Pata mësuar shumë përralla t’ u dëftoja fëmijëve
U vizatoja fytyrën e lirisë në fletoren pa vija
Ua bëja të bukur e kënaqeshin duke e shikuar
Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë e kishte lule plot
Me i mbulue fytyrat e varreve se u bënë shumë
Sa vragë të rënda i dukeshin fushës
Pata blerë 10 kilogram kripë,
10 kg patate e mezi i pata bartur deri në shtëpi
Asnjëherë s’ e pyeta veten pse mora aq shumë
E nga atëherë kam një deformim unazash
Pastaj qesh kthyer tek kisha e qytetit “Engjëlli i Rojës”
Pata marr qirinj e lumtur shumë
se terrin e dëbojnë për t’i treguar udhën lirisë
Dhe mirë bëri lufta që pëlciti bash në mars, prill, maj e qershor
Disi dielli rrinte më gjatë në qiell
Dukeshin më qartë aeroplanët bombardues
Dhe nuk arriti asnjë plumb të më zë
Sikur t’ kishte pëlcitur më herët a më vonë
Mund të ishin koklavitur punët
e do të isha vrarë
Do isha harruar deri sot si i ngujuari në robëri.

Do të vinë shina e shira e ne do të duhemi

Do të vinë shira e shina të verbët
Si kolona vertikale ushtarësh dezertorë të qulltë do të vinë
Ujërat e ëmbël do të fryhen e do të pëlcasin
Do të gërryejnë themele shtëpish të shtrirë gjerë e gjatë
Bashkë me gjarprin e shtëpisë të bëjnë gallatë
E ujërat e njelmët do pushtojnë ranën e rërën
T’i ngopin ujë e kripë deri në vjellje
-ne do të vazhdojmë të duhemi
Pastaj do të vij acari si murator i keq
Do bëjë mure –ajri të acartë
Do na zihet fryma si nga afshi
-po sërish do të duhemi
Mbi Etnë mbi Vezuf
Do fluturojnë zemra të shkrumta histori të trishta
Të mjera deri në harresën e inatshme se na duhemi

Do hapen varre e vorre o si sy katallani do të duken ato
Në fytyrën e tokës e
Gjithë udhët do të mbushen me zonja në të zeza
– ne do të vazhdojmë të duhemi

Si drita të shkundura do të bien shumë palë sy
Si kripa e krypa në zjarr do të pëlcasin
Pikë- pikë e rriskë-rriskë
-ne duhemi.

Muza

vlora konushevci View All →

Bloggere, nane, profesioniste ne marredhenie me publikun, perkthyese, agjent sekret shhhhtttt

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: